Zemaj: Mos t’na ikin mjekët, edhe një plotësim konkursi në gusht me 74 specializantë për kandidatët nga Lugina

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, përmes një postimi të bërë në Facebook, ka thënë se tashmë pas shumë vitesh po realizohet kërkesa për specializime të mjekëve.
Ai thotë se do të përpiqet maksimalisht qe mjekët mos të ikin nga Kosova, pasi ata janë edhe pasuria me e shtrenjtë e vendit.
Ministrit thotë se do të respektohen të gjitha kritieret për përzgjedhjen e kandidatëve për specializime mjekësore, ndërsa do të jetë edhe një konkurs plotësues për kandidatët nga Lugina e Preshevës.
Ky është postimi i plotë:
Pas disa vitesh bllokade, tashmë po realizohet kërkesa për specializime të mjekëve. Kjo ka qenë njëra ndër prioritetet e mia që në ditën e parë kur mora mandatin. Po përpiqem maksimalisht që mjekëve tanë t’u jepet mundësia të specializojnë dhe punojnë këtu. Të mos na ikin mjekët nga Kosova. Ikja e trurit është më pasoja të mëdha për të ardhmen e vendit. Është shumë e shtrenjtë dhe kërkon shumë mundim për t’u bërë mjek. Këta janë pasuria më e shtrenjte e vendit. Sot me anëtarët e Bordit për Specializime kryesuar nga Ass.dr.Labinot Shahini biseduam për mbarëvajtjen e procedurës së aplikimeve të kandidatëve për specializime mjekësore. Konfirmova se do të respektohen kriteret e përzgjedhjes dhe në asnjë mënyrë nuk do të tolerohet ndonjë keqpërdorim. Përveç konkursit që shpallëm në fund të korrikut ku kanë qenë 1034 vende për specializantë është edhe plotësim konkursi tjetër i gushtit me 74 specializantë, ku ndër të tjera kemi paraparë vende të rezervuara për kandidatët nga Lugina e Preshevës (mjekë që punojnë dhe veprojnë në Luginë), por edhe në disa institucione shëndetësore brenda Kosovës.
