Zemaj paralajmëron lehtësimin e masave

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka thënë se Kosova vazhdon të ketë situatë të mirë të menaxhimit të Covidit-19, andaj pritet të ketë lehtësim masash.
“Në takimin e sotëm me Bordin këshillëdhënës, kemi diskutuar për situatën epidemiologjike, duke parë mundësinë e lehtësimit të disa masave që janë në fuqi. Masat lehtësuese, do të jenë vlerësim për respektimin e masave nga qytetarët”, ka shkruar ai, transmeton IndeksOnline.

Shkrimi i tij i plotë:
Kosova, krahasuar me shtetet e tjera, vazhdon të ketë një situatë të mirë të menaxhimit të Covidit-19.
Statistikat nga ECDC-së, Kosovën e radhisin të fundit në rajon sa i përket shtrirjes së infeksionit si dhe vdekshmërisë nga Covidi-19.
Në takimin e sotëm me Bordin këshillëdhënës, kemi diskutuar për situatën epidemiologjike, duke parë mundësinë e lehtësimit të disa masave që janë në fuqi. Masat lehtësuese, do të jenë vlerësim për respektimin e masave nga qytetarët.
Qytetarët me disiplinën e tyre si edhe të gjithë aktorët relevantë që përballen me Covidin-19, kanë dëshmuar se meritojnë falënderim dhe respekt.
Edhe sot u bëj thirrje për zbatimin e rekomandimeve dhe respektimin e masave antiCovid për aktivitetet publike, grumbullimin e qytetarëve dhe tubimeve publike.
Bashkë ia dalim!