Zemaj për kontratat e stafit mbështetës në shëndetësi: Largimi i tyre do të ishte padrejtësi dhe papërgjegjësi e Qeverisë

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka shprehur shqetësim të madh lidhur me mosvazhdimin e kontratave të zyrtarëve shëndetësorë, sidomos të atyre që ishin staf gjatë pandemisë COVID-19.
Sipas Zemajt, Kosova nuk ka “luksin” të largojë mbi 1200 zyrtarë nga sistemi, teksa largimi i tyre do të ishte padrejtësi.
“1.271 mjekë, infermierë, laborantë, inspektorë dhe staf mbështetës të angazhuar në luftimin e pandemisë meriton respekt. Respekti institucional, përtej fjalëve të mira, do të ishte vazhdimi i kontratave të tyre. Ndryshe, ikja e kuadrit të arsimuar shëndetësor dhe jo vetëm është papërgjegjësi e Qeverisë!” ka thënë Zemaj.
Ky është reagimi i plotë i tij:
Kosova nuk e ka as gjendjen e as luksin të largojë 1.271 zyrtarë nga sistemi shëndetësor!
Largimi i kuadrit më besnik dhe më të mirë që u përball me pandeminë, do të ishte padrejtësi. Për fat të keq, kjo mund të ndodh, të gjithë këta mund të mbesin pa punë, gjatë ditëve në vijim, nëse Ministria e Shëndetësisë nuk ua vazhdon kontratat!
Kosova nuk e ka luksin të sillet papërgjegjshëm ndaj këtij kuadri që doli krah kolegëve, qytetarëve dhe pacientëve në ditët më të vështira të shëndetësisë tonë, duke rrezikuar jetën e tyre dhe të familjeve të veta.
1.271 mjekë, infermierë, laborantë, inspektorë dhe staf mbështetës të angazhuar në luftimin e pandemisë meriton respekt. Respekti institucional, përtej fjalëve të mira, do të ishte vazhdimi i kontratave të tyre. Ndryshe, ikja e kuadrit të arsimuar shëndetësor dhe jo vetëm është papërgjegjësi e Qeverisë!
1.271 të rinj dhe të reja nuk duhet lejuar t’i drejtohen ambasadave e as të mbesin rrugëve. Qeveria në afat optimal duhet të gjej zgjidhje për ta!
Secili nga 1.271 të angazhuarit e deritashëm në sistemin e shëndetësisë, janë pjesë e cilësisë së shërbimeve shëndetësore, duke përkrahur kolegët në dhënien e shërbimeve dhe kujdesit për qytetarët të cilët kanë nevojë për përkujdesje cilësore shëndetësore.
Shëndetësia nuk është luks, është domosdo që Qeveria duhet ta sigurojë për qytetarët, për pacientët, në të gjitha nivelet e përkujdesjes!ł