Zemaj, për LVV-në: Me imponim dhe diktat, mendojnë se duhet të gjitha partitë t’i nënshtrohen

Deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, është deklaruar përpara mediave, para fillimit të seancës së 19-të konstituive.
Ai thotë se LVV-ja po mundohet të imponojë dhe të bëjë diktat, shkruan IndeksOnline.
“Pa dashur të përballet me realitetin, ajo çka kërkohet edhe si pjesë e vendimmarrjes politike. Siç duket, ndoshta është edhe e përsëritur, por kjo është logjika e LVV-së. Imponimi, diktati, ashtu siç funksionojnë brenda partisë së vet, mendojnë që duhet edhe të gjitha partitë dhe skena politike t’i nënshtrohet. Kjo është e papranueshme, nuk ka logjikë. Këtu nuk jemi për dëshira dhe ambicie personale të individëve të caktuar. Këtu jemi për t’iu shërbyer qytetarëve dhe të bëjmë zgjidhje për formimin e institucioneve” tha Zemaj.
Ai shtoi se në LDK nuk ka pritshmëri për zgjidhjen e situatës.
“Vet deklarimet e Kurtit tregojnë që ai nuk është i interesuar për formimin e institucioneve të reja” deklaroi Zemaj, që thotë se Kurti nuk i ka shërbyer shtetit në qeverisjen e kaluar, përveç shërbimit që iu ka bërë “militantëve të Facebook-ut”.
“Është e parëndësishme të thuhet “Nuk jemi këtu për t’u sfiduar – jemi këtu për të bërë zgjidhjen”. Këto lojë fjalësh janë të dëmshme edhe për vet procesin. Nëse ai i ka 61, përse nuk e zgjedh kryetarin/en e kuvendit?” shtoi Zemaj.