75 Mall Live Search
11:39 / E Martë, 01 Shtator 2020 / indeksADMonline

Zemaj, miraton në listën e barnave esenciale 3 ilaçet e shumëkërkuara

Ministri i Shëndetësisë i Republikës së Kosovës, Armend Zemaj ka miratuar sot propozimin e grupit profesional të Agjensisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Mjekësore (AKPPM) që për zbatimin e masave të veçanta, AKPPM-ja të lëshojë licencë importi pa autorizim të marketingut për produktet për përdorim te pacientët me Covid-19 si: Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine.

Ky miratim vlen për periudhën gjatë pandemisë Covid-19 deri në shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë për masa të veçanta.

Duke pasur parasysh situatën emergjente të krijuar si rrjedhojë e pandemisë Covid-19, Grupi profesional i AKPPM-së, bazuar në nenin 39 paragrafi 1 i Ligjit nr. 04/L-190 për produkte dhe pajisje mjekësore e ka parë të arsyeshme që të krijohet mundësia e importit të barnave Remdesivir, Favipiravir dhe Hydroxychloroquine me kushte të veçanta pa autorizim për marketing, në mënyrë që të shpejtohet qasja në këto barna të parapara në udhërrëfyesin klinik nr. 9 mbi menaxhimin dhe trajtimin e Covid-19.

Gjithashtu, ministri Zemaj do të autorizojë përfshirjen e këtyre tre barnave edhe në Listën e esenciale të barnave përmes plotësim-ndryshimit të saj.