75 Mall Live Search
18:00 / E Mërkurë, 09 Shtator 2020 / indeksADMonline

Zemaj pritet të takohet nesër me ministrin maqedonas, diskutohet mundësia e heqjes së testimeve PCR

Ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj pritet që nesër të takojë ministrin maqedonas të Shëndetësisë Venko Filipçe ku do të diskutohet lidhur me mundësinë e heqjes së testimeve PCR për shtetasit e Kosovës nëpër pikat kufitare.

Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj tha se shpreson që nesër të diskutohet për testet PCR dhe të mundësohet heqja e këtyre testimeve, transmeton Indeksonline.

“Ka pas shumë problem për qytetarët që kanë mbetur në aeroporte, në kufij e në rrugë, edhe pse Maqedonia e Veriut ka treguar një tolerancë dhe bashkëpunim të mirë e na ka mbështetur, por mendoj se duhet hequr këto teste obligative mes dy vendeve dhe pse jo të diskutohet edhe heqja e masave të lëvizjes së lirë komplet, pra sikur është me Shqipërinë, pa kurrfarë testesh e pengesash”, tha ai.

Sipas Dedajt duhet diskutuar dhe duhet luftuar bashkërisht pandemia COVID-19, me solidaritet dhe bashkëpunim./Indeksonline/