75 Mall Live Search
20:14 / E Mërkurë, 13 Gusht 2025 / Z S

Zemaj: Qeveria Kurti dëmtoi shëndetësinë, Kushtetuesja e ndali

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka akuzuar Qeverinë Kurti dhe Ministrinë e Shëndetësisë për keqmenaxhim dhe paaftësi gjatë katër viteve të fundit, duke thënë se kjo ka sjellë pasoja të rënda për qytetarët dhe pacientët në vend.

Në një postim në Facebook, Zemaj ka reaguar pas vendimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, e cila ka konstatuar se paragrafi 1 i nenit 11 të Statutit të ShSKUK-së, i miratuar më 27 dhjetor 2023 nga Qeveria, nuk është në përputhje me nenin 51 (Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale), nenin 7 (Vlerat) dhe nenin 92 (Parimet e Përgjithshme) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Sipas Zemajt, përmes këtij vendimi është ndaluar një qasje e rrezikshme e Qeverisë në detyrë, e cila synonte – siç tha ai – dobësimin e sektorit publik shëndetësor në favor të interesave të sektorit privat.

Postimi i plotë:

Paaftësia dhe keqmenaxhimi në sektorin e shëndetësisë gjatë këtyre katër viteve nga qeveria Kurti dhe ministri i saj i Shëndetësisë kanë prodhuar pasoja të rënda për qytetarët dhe pacientët në vendin tonë.

Kemi parë një tendencë të mbuluar me mashtrime, e shpesh të realizuar në mënyrë perfide, për të dobësuar sektorin publik shëndetësor dhe për të forcuar interesat e sektorit privat.

Sot, kjo qasje u ndalua nga Gjykata Kushtetuese, lidhur me ndryshimet e reja nga statuti i ri i SHSKUK-së  të cilat zvogëlonin ofrimin e  sherbimeve shëndetësore dhe krijonin pabarazi në mes të sektorit publik dhe atij privat shëndetsor.

Katër vite pa ligj të ri të shëndetësisë dhe pa strategji të re për shëndetësinë kanë krijuar dëme që nuk janë të lehta për t’u riparuar. Ky menaxhim më shumë ka reflektuar interesat e grupeve të ndryshme farmaceutike sesa shërbimin në interes të qytetarëve dhe pacientëve.

P.S.

Këtu është linku i aktgjykimit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila aprovoi kërkesën e Federatës Sindikale të Shëndetësisë, kërkesë që e kam mbështetur edhe unë me komente drejtuar Gjykatës Kushtetuese si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe anëtar i Komisionit për Shëndetësi./Indeksonline/