75 Mall Live Search
14:36 / E Hënë, 08 Shtator 2025 / S Z

Zemaj: Veprimet e Kurtit të paligjshme dhe qëllimkeqe, zgjidhje vetëm zgjedhjet e reja

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për krizën aktuale politike në vend.

Zemaj ka thënë se vonesat në konstituimin e Kuvendit dhe mosformimi i qeverisë së re janë “përgjegjësi e atij që e ka shumicën”. Por, sipas tij VV-ja nuk i ka numrat për qeveri, andaj edhe është zvarritur kaq gjatë formimi i institutcioneve.

Mirëpo, sipas Zemajt, ende më e dëmshme se mos-formimi i institutcioneve, është mbajtja e dy pozitave nga kryeministri dhe ministrat në detyrë “në mënyrë të paligjshme” dhe “marrja e vendimeve ekzekutive”.

Për këtë, ai ka thënë se duhet të pasojnë veprime nga Prokuroria e Gjykata.

“Fatkeqësisht kjo është përgjegjësi e atij që e ka shumicën. Që nga fillimi e kemi parë që VV-ja, por edhe Kurti si kryeministër në detyrë, nuk ka qenë i interesuar ta bëjë konstituimin e Kuvendit dhe aq më pak zgjedhjen e qeverisë së re. Për shkak se nuk ka asnjë marrëveshje politike, nuk i ka numrat për qeveri dhe është prolonguar procesi i konstituimit të Kuvendit, fatkeqësisht duke mbajtur peng Kuvendin, por duke mbajtur peng edhe zhvillimin e vendit. Çka është më e keqja është mbajtja e dy pozitave në mënyrë të paligjshme, marrja e vendimeve ekzekutive, shpërndarja e buxhetit në mënyrë të paplanifikuar, të cilat kanë bërë dëme që janë të pariparueshme në kuptimin e ecjes së Kosovës, por që duhet të sanksionohen nga Prokuroria dhe Gjykata”, ka deklaruar Zemaj për EO.

Zemaj tha se mbajtja e dy pozitave nga Kurti dhe vendimet ekzekutive të marra në këtë periudhë janë të paligjshme dhe kanë shkaktuar dëme të pariparueshme.

“Çdo veprim i Kurtit ka qenë qëllimkeq, ose në shkelje të rregullores së Kuvendit dhe në shkelje kushtetuese. E dini që të gjitha vendimet e deritanishme janë nga veprimet e shumicës që e ka VV-ja dhe jo nga veprimet e LDK-së apo dikujt tjetër. Shkelja e rregullores, ndryshimi i rendit të ditës, mbajtja e dy pozitave, tendencat që të zgjedhin njëanshëm nënkryetarët e Kuvendit, krejt kjo ka prolonguar dhe ka dërguar situatën në Gjykatën Kushtetuese, duke vendosur masa dhe duke marrë të gjithë këtë kohë në konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e qeverisë”, theksoi ai.

Ai theksoi se zgjidhja më e drejtë do të ishin zgjedhjet e reja, por aktualisht mbetet të pritet vendimi i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka vendosur masë të përkohshme deri më 30 shtator, duke pezulluar veprimet e Kuvendit.

“E dini se çka ndodhi me procedurën e nënkryetarëve, dhe kjo ishte e qëllimshme, sepse pakënaqësia apo aksidenti që u zgjodh nga VV-ja, zoti Dimal Basha, kishte një qëllim tjetër – bllokimin e konstituimit të plotë të Kuvendit. Para se me ndodhë veprimet, kemi thënë dhe jemi munduar ta parandalojmë, kemi treguar se ndryshimi i procedurës është shkelje ligjore, mbajtja e dy pozitave është shkelje, ndryshimi i zgjedhjes nga praktikat kryekuvendore. Konsistenca e LDK-së ka qenë shumë e qartë, parimore dhe e ndershme. Zgjidhja do të ishin zgjedhjet, por duke marrë parasysh edhe ngërçin kushtetues, duhet të presim se çka thotë Gjykata Kushtetuese për veprimet e mëtutjeshme, dhe konform atyre veprimeve ne do të veprojmë”, shtoi deputeti.