Zemra kuqezi e Modric: Kam fituar gjithçka, por ëndërroj ta bëj këtë me Milanin

‘Kam fituar gjithcka, por ëndrra ime është të fitoj me Milanin sepse kur nuk dorëzohesh kurrë, gjithçka është e mundur. Erdha këtu për të fituar, kualifikimi në Champions është objektivi minimal, por shpresoj të bëj më shumë’.
Luka Modric është protagonisti i madh i Milanit në këtë pjesë të parë të sezonit duke i befasuar të gjithë. Klasi i tij nuk është vënë kurrë në diskutim, por mesfushori 40 vjeçar ka akoma uri për suksese dhe dëshirën e një djaloshi të ri.
‘Jam në një klub të madh dhe historik-rrëfen Modric për TG1-skuadra ka shumë talente dhe trajneri është fitues. Është një rrugëtim i gjatë, por unë kam shumë pritshmëri’.
Pasioni i Modric për Milanin ka lindur që kur kroati ishte fëmijë.
‘Jam rritur me mitin e Zvonimir Boban, por edhe me Paolo Maldinin, Kaka, Pirlo, Seedorf-vijon Modric që më pas foli edhe për Serie A-niveli i kampionatit italian është shumë i lartë. Në kampionate të tjera të mëdha nuk ka kaq shumë sfida si këtu: Juve, Inter, Napoli, Roma…’
Ndërsa përsa i përket emocioneve për ndeshjet në San Siro, Luka Modric tha:
‘Bernabeu për mua është special, kam përjetuar 13 vjet dhe emocione të papërshkrueshme-tha Modric-por San Siro është një stadium plot histori. Ancelotti më tha që këtu do të ndihesha mirë, ai është një ndër më të mëdhenjtë’.