Zenun Elezaj paditë mbështetësin e PDK-së, e akuzon për shpifje

Kryetari aktual i Klinës, Zenun Elezaj, ka njoftuar se sot dorëzoi padinë për shpifje dhe fyerje, ndaj Besfort Racajt, mbështetës politik i PDK-së.
Elezaj ka bërë me dije se padinë e ka dorëzuar për shkak se Racaj ka publikuar një video-material dhe deklarata të pavërteta, denigruese dhe ofenduese.
Të gjitha këto, Elezaj thotë se e kanë dëmtuar rëndë nderin, reputacionin profesional dhe integritetin moral të tij dhe familjes së tij, shkruan IndeksOnline.
“Asnjë shpifje nuk mund ta ndalë fitoren time në zgjedhjet lokale. Kur shpifjet përgatiten nga “kazanet” e kundërshtarëve politikë, është gjykata ajo që do t’i japë vlerësimin dhe vendimin e merituar” u shpreh Elezaj.
Ky është postimi i plotë i tij:
NJOFTIM PËR USHTRIMIN E PADISË PËR SHPIFJE DHE FYERJE
Njoftoj opinionin publik se sot kemi dorëzuar padi për shpifje dhe fyerje në Gjykatën Themelore në Pejë-Dega në Klinë, kundër Besfort Racaj, një mbështetësi politik të kandidatit të PDK-së për kryetar të komunës, për shkak të publikimit të një video-materiali, si dhe deklaratave të pavërteta, denigruese e ofenduese, të cilat kanë dëmtuar rëndë nderin, reputacionin profesional dhe integritetin moral tim dhe të familjes sime.
Unë gjithmonë kam qenë krenar për garën time politike të ndershme, ku nuk janë përfshirë familjarët e kundërshtarëve. Për fat të keq, ky kod moral nuk ekziston më tek disa, të cilët në mungesë të ideve dhe vizionit, përpiqen të godasin me shpifje.
Liria e shprehjes është një e drejtë themelore, e garantuar dhe e mbrojtur me ligj, por ajo nuk përfshin të drejtën për të shpifur apo fyer. Çdo abuzim me këtë liri bart përgjegjësi ligjore, dhe për këtë arsye i jam drejtuar organeve të drejtësisë.
Jam i bindur se gjykata do të veprojë me profesionalizëm dhe pa vonesa.
Asnjë shpifje nuk mund ta ndalë fitoren time në zgjedhjet lokale. Kur shpifjet përgatiten nga “kazanet” e kundërshtarëve politikë, është gjykata ajo që do t’i japë vlerësimin dhe vendimin e merituar.
Faleminderit nga zemra të gjithëve që kanë besuar dhe vazhdojnë të besojnë në vizionin tim, partinë time dhe familjen time.