75 Mall Live Search
17:09 / E Martë, 09 Shkurt 2021 / A. A

Zeqiri flet për merkaton dimërore: Prishtina dhe Gjilani kanë bërë transferimet më të mira

Merkatoja dimërore tashmë ka përfunduar për klubet e Superligës së Kosovës.

Ky afat kalimtar ishte më i varfër dhe me pak transferime, transmeton Indeksonline.

Përveç Drenicës, të gjitha klubet ishin më të qeta.

Në lidhje me merkaton dimërore, Indeksonline kontaktoi me analistin e njohur, Arben Zeqiri, i cili spikati dy transferimet më të mira.

“Merkaton nuk ka mundur të bëjë askush sipas dëshirave, keqë shumica e futbollistëve janë nën kontrata dhe mundësia më e madhe për treg të futbollistëve ka qenë Antalia e që e ka shfrytëzuar Drita duke marr dy futbollistë cilësorë Henry dhe Pristley të cilëve madje iu ka ofruar dy vite e gjysmë kontratë.”

“Pak nga ekipet pretendente për titull janë arsyet e cekura me lartë derisa nga ekipet që luftojnë për ekzistencë, senzacion në këtë drejtim ka bërë Drenica që ka sjell një përbërje të tërë, e që do të jetë thikë me dy teha, meqë futbollistëve të ardhur do të iu duhet kohë për ambientim në ekip dhe veçmas në rrjedhën e ligës dhe situatave që prodhon vetë ajo”, tha ai.

Zeqiri beson se Prishtina dhe Gjilani kanë bërë transferimet më të mira në këtë merkato.

“Ardit Nika, portieri që ka marr Prishtina, blerja më e qëlluar si dhe Qëndrim Dautaj i Gjilanit, i cili njihet me cilësi të veçanta, pasimin e fundit, tip i futbollistit që Gjilani ka pas shumë nevojë për një të tillë.”

“Skuadrat janë përforcuar aty ku kanë pasur nevojë dhe besoj që me prurjet e reja i kanë mbuluar të metat që kanë pasur e se sa janë të qëlluara mbetet të shihet në xhirot e radhës, veçmas këto të pjesës së tretë kur edhe do të përcaktouen përfundimisht objektivat e ekipeve garuese në Superligën e Kosovës”, përfundoj Zeqiri.

/Indeksonline/