18:29 / E Martë, 26 Korrik 2022 / k.v

Zeqiri për policët e vrarë: Familjarët e tyre të mbështeten më shumë, të dyshuarit të dalin para drejtësisë

Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, ka kërkuar nga organet e drejtësisë që të dyshuarit për vrasjet e policëve kosovarë të dalin para drejtësisë.

Zeqiri, në Info Magazine, teksa ngushëlloi familjet e viktimave tha se ata janë frymëzim dhe motiv për të gjithë policët e gjallë.

“I përshëndes të gjithë familjarët e policëve të rënë në detyrë të cilët dhanë jetën e tyre për të mbrojtur rendin dhe qetësinë publike të qytetarëve dhe integritetin e Republikës së Kosovës. Ju them gjithë atyre familjarëve se aq sa kanë dhimbje aq të ndjejnë edhe krenari për shkak se edhe ne kolegët e tyre ndjejmë krenari dhe frymëzohemi nga ta për të kryer detyrat tona”.

“Duhet patjetër që të gjithë të dyshuarit për vrasje të të gjithë policëve të dalin para drejtësisë dhe të ndriçohen këto raste sepse them se kjo është brenga dhe pengu më i madh që na mbanë neve se pse deri më tani të dyshuarit e rasteve siç rasti i Enver Zymberit dhe i të tjerëve ende nuk janë ndriçuar dhe të dyshuarit janë në liri. Kjo ju takon organeve të drejtësisë që të punojnë në mënyrë intensive që të dyshuarit e këtyre rasteve të dalin para drejtësisë. Kjo do të ishte edhe një ngushëllim edhe për familjarët, por edhe për ne kolegët”, tha Zeqiri.

Zeqiri, mes tjerash, kërkoi që familjet e policëve të vrarë të mbështeten financiarisht pos 80 për qindëshit të pagës që marrin prejse kanë humbur të dashurit e tyre, njofton Klankosova.tv.

“Nga buxheti i Policisë së Kosovës për të gjithë policët që humbin jetën në krye të detyrës zyrtare, familjarëve të tyre u paguhet 80 për qind e pagës së tyre bruto – kjo është ajo që policia ka mundësi me i dhënë, ndërsa sa kanë përkrahje nga qeveria dhe qeveritë e kaluara nuk kam informacione se kanë mbështetje tjetër – gjë që do ta meritonin”.

“Jo vetëm 80 për qindëshin, mendoj se kjo do të duhej të ishte 100 për qind dhe nuk do të mjaftonte për shkak se kanë humbur më të dashurit e tyre dhe vërtetë një pagë modeste në këtë kohë nuk mjafton”, u shpreh Zeqiri.

Tutje, Zeqiri tha se si Sindikatë kur do që kanë mundësi mbështesin financiarisht familjet e policëve të vrarë.