75 Mall Live Search
23:04 / E Premte, 20 Shkurt 2026 / F.R

Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasadës Gjermane dhe OEGJK vizitojnë Qytetin e Mençur të UBT-së

Zëvendës Shefi i Misionit të Ambasada Gjermane në Kosovë, Christian Böttcher, vizitoi Qytetin e Mençur të UBT-së, ku u mirëprit nga Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Edmond Hajrizi.

Gjatë takimit u theksua roli i UBT-së si institucion i arsimit të lartë që po vendos standarde të reja në ndërlidhjen e arsimit me sipërmarrjen dhe industrinë. Modeli i zhvillimit të UBT-së, i bazuar në integrimin strategjik të arsimit, kërkimit shkencor, inovacionit dhe zhvillimit të biznesit, u vlerësua si një qasje vizionare që sjell rezultate të matshme.

Rektori Hajrizi prezantoi para delegacionit ekosistemin unik të UBT-së, ku përmes Parkut Shkencor, Inovativ dhe Teknologjik në Lipjan ndërthuren laboratorët e avancuar, teknologjitë e sofistikuara dhe bashkëpunimi i drejtpërdrejtë me industrinë. Ky mjedis krijon ura konkrete mes akademisë dhe sektorit privat, duke përgatitur studentët për tregun global të punës.

U theksua se UBT, si anëtar Premium i OEGJK-së, luan rol kyç në lidhjen e Kosovës me universitete dhe institucione të arsimit të lartë në Gjermani, Austri dhe më gjerë. Partneritetet e forta ndërkombëtare dhe orientimi praktik e bëjnë UBT-në një pikë natyrore takimi ndërmjet dijes akademike dhe zhvillimit ekonomik.

Diskutimet u përqendruan në zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit, me theks në zhvillimin e qëndrueshëm, fuqizimin e inovacionit dhe thellimin e bashkëpunimit akademik ndërkufitar. Shkalla e zhvillimit të UBT-së, qartësia strategjike dhe fryma sipërmarrëse lanë përshtypje të veçantë te përfaqësuesit gjermanë, të cilët shprehën gatishmërinë për ta ndërtuar këtë momentum të përbashkët edhe në të ardhmen.