Zëvendësministri Dreshaj viziton familjet e dy qytetarëve të arrestuar nga xhandarmëria serbe, takon edhe me njërin nga të liruarit

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Gani Dreshaj ka vizituar familjet e dy qytetarëve të arrestuar nga xhandarmëria serbe, Maqastena e Mexhuani.
Dreshaj ka takuar edhe të riun e liruar mbrëmë nga autoritetet serbe, Berat Mexhuanin. “Sapo isha në fshatin Dumosh për të takuar dy familjet e lënduara nga arrestimi i djemve të tyre nga xhandarmeria serbe në zonën kufitare Kosovë-Serbi.
Njëri nga djemt tanë, Berat Mexhuani tani është i lirë, ndërsa Blerim Maqastena po mbahet ende padrejtësisht në qendrën e paraburgimit në Prokuple.
Do të angazhohem personalisht dhe zyrtarisht që Blerimi sa më parë të rikthehet në familje sepse ai është vetëm një qytetar që nga mjegulla ka humbur rrugën në pak metra kufitare dhe një rast si ky nuk përbën ndonjë precedent serioz penal.
Berati më rrëfeu në tërësi ngjarjen e të shtunës, ishte diçka që mund të na ndodhë secilit nga ne.
Andaj, besoj që rasti nuk do të politizohet më shumë dhe Blerimi të rikthehet shumë shpejt në Kosovë” shkruan Dreshaj në njoftim./Indeksonline/
