Zëvendësshefi i stafit të Donald Trump i propozon martesë të dashurës jashtë Zyrës Ovale – momenti bëhet viral në rrjetet sociale

Dan Scavino, zëvendësshefi i stafit të Donald Trump dhe një nga bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë, i propozoi martesë të dashurës së tij Erin Elmore para Zyrës Ovale në Shtëpinë e Bardhë. Ai ndau momentin në rrjetet sociale përmes një videoje ku shfaqet i gjunjëzuar me një unazë diamanti, nën tingujt e një kënge romantike. “Ajo tha PO”, shkroi ai shkurt.
Zgjedhja e vendit të propozimit shkaktoi reagime të shumta. Ndërsa Tiffany Trump kishte bërë të njëjtën gjë në Kopshtin e Trëndafilave, rinovimet në atë zonë bënë që Scavino të zgjidhte një tjetër hapësirë simbolike – përballë Zyrës Ovale. Ky detaj u komentua si një përzierje e pazakontë mes jetës personale dhe asaj politike, transmeton IndeksOnline.
Megjithatë, shumë nga rrethi MAGA e përgëzuan çiftin, përfshirë Ivanka dhe Tiffany Trump, Bettina Anderson, si dhe ish-zëdhënësit e Shtëpisë së Bardhë Spicer, Sanders dhe McEnany. Donald Trump vetë shkroi në Truth Social: “Çfarë çifti i mrekullueshëm – urime!”
Scavino dhe Elmore janë të dy figura të njohura në botën politike pro-Trump. Ai ka punuar për Trump që nga adoleshenca, ndërsa ajo është e njohur nga reality show “The Apprentice” dhe që nga viti 2016 ka qenë pjesë aktive e fushatave republikane. Të dy janë divorcuar më parë, dhe kjo do të jetë martesa e tyre e dytë.
She said YES❤️🔥💍🙏🇺🇸 pic.twitter.com/BMrWvZbvpN
— Dan Scavino Jr.🇺🇸🦅 (@DanScavino) September 25, 2025