Zëvëndëskryeministri Tahiri tregon 10 efektet e Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike

Zëvëndëskryeministri i Parë, Besnik Tahiri ,ka treguar 10 efektet e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike.
Sipas Tahirit, ky ligj do të ketë impakt (ndikim) rifreskues për zhvillim ekonomik dhe mirëqenie.
“10 efektet e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike!
Mandati i pozitës dhe opozitës në demokraci, është para së gjithash mbrojtja dhe përfaqësimi i qytetarëve. Secili përfaqësues, secili institucion, secili subjekt, secili që ka mandat të flasë apo përfaqësojë sovranin, në momente të caktuara, kritike, duhet të ketë fuqinë të ngritet mbi pozicionet, interesat, apo pikëpamjet parciale.
Është inkurajuese dhe për tu përshëndetur, që ndodhi një reflektim pozitiv, edhe pse i vonuar në lidhje votimin e Ligjit për rimkëmbje. Është premtues fakti që shumica e nevojshme, gjykoi drejtë që me moskalimin e ligjit, ishin qytetari dhe shteti, të cilëve po u bëhej padrejtësi.
Më poshtë po ndaj me ju dhjetë (10) efektet e Ligjit për rimëkëmbje ekonomike, i cili do të ketë një impakt (ndikim) rifreskues për zhvillimin, ekonominë dhe mirëqenien.
Mes tjerash, Ligji për rimëkëmbje do të:
- Ulë presionin mbi ekonominë, bizneset dhe familjet;
- Për një periudhë të kufizuar, do të rrisë fuqinë blerëse, konsumin dhe shërbimet;
- Do të ekuilibrojë sadopak zhvillimet në tregun vendor financiar;
- Do të rifreskojë potencialin e bizneseve të vogla, tashmë të rrezikuara, për të operuar më gjatë dhe më qëndrueshëm në treg;
- Do të zbusë efektet negative të pandemisë, veçmas tek ato familje me të ardhura më të ulta;
- Do të ndikojë pozitivisht te të gjithë, në fuqinë e shtetit si faktor stabilizues ekonomik;
- Do të shërbejë si instrument i “tërthortë” i asistencës sociale, për shtresat në vështirësi;
- Përçon mesazh të fortë te komuniteti ndërkombëtar për klimën e përgjithshme ekonomike në Kosovë;
- Ofron mundësi të re, që në dritën e këtij ligji, të planifkohen hapat e tjerë të shpenzimeve në planet vjetore dhe afatmesme financiare;
- Rehabiliton besimin e dëmtuar te qytetarët kundrejt kapacitetit vendimmarrës institucional, rezultat i vonesave vendimmarrëse.
Lidershipi dhe përkushtimi kërkohet në kohë sfidash, andaj duhet falënderuar secilin për guximin për të lëvizur përpara.
Nuk duhet humbur kohë,
Të fokusohemi në implementim efikas dhe të përpiktë…”, shkruan Tahiri në Facebook.