21:08 / E Mërkurë, 12 Korrik 2023 / S Z

Zgjatet afati për verifikim të mbijetuarve të dhunës seksuale në luftë

Afati për verifikim të statusit të të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës është zgjatur edhe për dy vite me mundësi vazhdimi. Puna e Komisionit për verifikim të këtyre viktimave ishte temë diskutimi edhe në takimin e sotëm me anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës.

Duda Balje, kryetare e komisionit për të drejtat e njeriut, tha se verifikimi është çështje shumë e ndjeshme dhe komisioni duhet të punojë në bazë të ligjit dhe provave të viktimave që dëshmojnë dhunën.

“Sot kemi kuptuar që vetëm 19-të raste nuk janë shqyrtuar deri tash. Ka shumë raste të cilat janë në proces gjyqësor, në rishqyrtim. Dmth është një proces shumë kompleks, është proces me emocion, shumë i ndjeshëm dhe vërtet kemi kuptuar që nuk është lehtë për anëtarët e komisionit të cilët janë brenda, ata të cilët marrin një vendim”, ka theksuar Duda Balje.

Njohës të fushës së drejtësisë thonë se nuk është bërë sa duhet në sensibilizimin e kësaj çështje.

Anton Nrecaj nga Qendra për Ndihmë Juridike  ka thënë se ky proces është shumë i vështirë, duke pasur parasysh edhe mentalitetit që e kemi pasur si shoqëri.

“Problemi është kyç, institucionet e shtetit nuk janë duke e trajtuar me seriozitet këtë çështje. Nuk janë duke investuar në fushatat e vetëdijesimit, në fushatat inkurajuese për personat që kanë qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës e që i kanë mbijetuar atyre torturave”, ka thënë Nrecaj.

Ndërkaq, Eranda Zekaj nga IKD ka thënë se problemi qëndron edhe tek ngurrimi i qytetarëve rreth kësaj teme.

“Kemi vetëdijesim të qytetarëve por edhe ngurrim sa i përket stigmatizimit të ndryshëm që ju ndodhë sidomos grave në Kosovë, e ndoshta edhe pasojat që ato mund t’i presin në të ardhmen si pasojë e dhunës që i është shkaktuar atyre gjatë luftës”, ka theksuar Zekaj.

Sipas këtyre organizatave , viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës mund të ngrenë aktakuzat në mungesë dhe të kërkojnë drejtësi. Deri më tani 1549 aplikime janë aprovuar nga Komisioni për verifikim./rtk/