Zgjedhja e kryeprokurorit në “duart” e Vjosa Osmanit, sa mund të zgjasë dekretimi dhe sa janë gjasat për refuzim!

Këshilli Prokurorial i Kosovës unanimisht ka votuar Blerim Isufajn për Kryeprokuror të ri të Shtetit. Por fillimisht Isufaj duhet të dekretohet nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) për Indeksonline ka shpjeguar procedurat legjislative që duhen ndjekur deri te dekretimi ose jo i Kryeprokurorit të Shtetit.
“Në bazë të ligjit tanimë Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka për obligim që tek presidentja e Republikës ta dërgojë një raport me shkrim përmes së cilit shpjegon tërë procesin se si ka rrjedhur që nga koha e shpalljes së konkursit e deri në ditën e fundit kur Këshilli Prokurorial i Kosovës e ka votuar unanimisht kandidatin Blerim Isufaj për Kryeprokuror të Shtetit.
Do të thotë ky dokumentacion dhe propozimi për dekretim i dërgohet presidentes e cila në bazë të Kushtetutës, në bazë të Ligjit e ka për detyrë për tu siguruar nëse e përcakton Ligji për Këshillin Prokurorial i Kosovës, që Këshilli Prokurorial i Kosovës të udhëheq një proces të paanshëm duke respektuar të gjitha procedurat me integritet e ti përmbysh obligimet. Në bazë të kësaj presidentja merr vendim për dekretim ose jo“, tha ai për Indeksonline.

Miftaraj thotë se Osmani nuk ka ndonjë afat për vendim për dekretim të Kryeprokurorit të Shtetit, andaj është në diskrecionin e Presidentes lidhur me këto propozime.
“Derisa për gjyqtarë dhe prokurorë, presidentja ka afat 60 ditë për të marrë një vendim për dekretim, për pozita siç është kryetari i Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurori i Shtetit, nuk ka një afat të tillë. Pasi që flasim për pozitat më të larta të sistemit gjyqësor dhe sistemit prokurorial të Gjykatave dhe Prokurorive. Kështu që mbetet diskrecioni vetëm i vetë Presidentes për të vendosur lidhur me këto propozime“, deklaroi Miftaraj.
Tutje, ai tregoi që zyra ligjore e Presidentes duhet të bëjë skenim të tërë procesit, për të marrë vendim të drejtë.
“Pa dashur të paragjykojë vendimin e Presidentes, besoj që zyra ligjore e Presidentes, këshilltarët e saj duhet të bëjnë skenim të tërë procesit për të marrë një vendim i cili është i drejtë për ta siguruar integritetin e këtij procesi“, tha ai./Indeksonline/
