Zgjedhja e presidentit, deputeti i LVV-së kërkon mirëkuptim nga opozita për ta shmangur krizën
Kuvendi dhe qeveria do të formohen shpejt posa të certifikohen zgjedhjet e 28 dhjetorit, thotë deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci.
Sipas tij, certifikimit të zgjedhjeve do t’i hapet rruga institucioneve të reja për, siç thotë, domosdoshmërinë e miratimit të buxhetit për vitin 2026.
Ai deklaron se vetëm pas konstituimit të Kuvendit, formimit të qeverisë dhe miratimit të buxhetit, do të vijë radha e zgjedhjes së presidentit të vendit.
“Jam i bindur që kemi nevojë për urgjencë për shkak se kemi nevojë ta miratojmë buxhetin e Republikës së Kosovës. Janë ditët e fundit, ju e dini që vetëm edhe muaji shkurt mund të jepen pagat në të gjithë sektorin publik, 85 mijë qytetarë të cilët janë në këtë sektor. Andaj është urgjencë që sa më shpejt të miratohet buxheti i Republikës së Kosovës për vitin 2026… Ne i kemi fituar zgjedhjet dhe me një fitore shumë të thellë, të paparë në historinë e Republikës së Kosovës deri më sot. Kështu që Kuvendi i Republikës së Kosovës, por edhe Qeveria e Kosovës, i ka numrat për themelim. Pra, do të themelohen shumë shpejt institucionet e Republikës së Kosovës, duke filluar nga trupat e Kuvendit e deri te qeveria”, deklaron ai.
Ani pse nuk deklarohet nëse mbështesin Vjosa Osmanin për një mandat të dytë në krye të vendit, Bajqinovci kërkon nga partitë opozitare, siç thotë ai, të kenë mirëkuptim për ta tejkaluar sfidën e zgjedhjes së presidentit dhe të mos ketë kriza të reja politike.
Duke folur për dëmtimin e procesit zgjedhor me rastin e numërimit të votave për kandidatët për deputetë, ai thotë se rinumërimi dëshmi dallaveret e votave dhe defektet e procesit, por assesi që procesi zgjedhor të përsëritet.
Sipas tij, në legjislaturën e ardhshme duhet të amandamentohet Ligji për Zgjedhjet për t’i korrigjuar të gjitha parregullsitë që janë evidentuar në procesin e rinumërimit të votave për kandidatët për deputetë.

