21:12 / E Hënë, 07 Nëntor 2022 / MSH

Zgjedhje të parakohshme në katër komunat veriore, flasin nga Presidenca

Katër komuna veriore kanë mbetur pa kryetarë, pasi këta të fundit dhanë dje dorëheqje, njëlloj siç kanë bërë të gjithë serbët që kanë qenë të nagazhuar me punë në institucionet e Republikës së Kosovës.

Kështu, në Mitrovicë Veriore, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq do të organizohen zgjedhje lokale të parakohshme.

Datën e këtyre zgjedhjeve, siç e parasheh korniza ligjore, duhet ta përcaktojë presidentja e Republikës, Vjosa Osmani.

Megjithatë, nga Zyra e Presidentes thonë se akoma nuk kanë pranuar njoftim zyrtar nga MAPL, për dorëheqjen e kryetarëve të komunave.

“Presidentja e Republikës së Kosovës ndërmerr veprimet e nevojshme, duke përfshirë konsultimet me subjektet politike, si dhe shpalljen e zgjedhjeve, pas njoftimit zyrtar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për dorëheqjen e kryetarëve të komunave. Deri më tani, një njoftim i tillë ende nuk është pranuar nga Zyra e Presidentes” deklaroi për Indeksonline Bekim Kupina, këshilltar për media i Presidentes.

Ndërkohë, nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve thonë se po presin dritën e gjelbërt nga Presidenca, për të nisur detyrimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka deklaruar për Indeksonline se KQZ do të angazhohet intensivisht n përgatitjen e zgjedhjeve në komunat veriore.

“- Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të përmbushë detyrimet kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve pasi ato të shpallen nga Presidentja e Republikës së Kosovës. KQZ-ja do të presë shpalljen e zgjedhjeve për të filluar me përgatitjet intensive të tyre. Si në çdo proces tjetër zgjedhor, KQZ-ja fillimisht miraton planin operacional, në të cilin listohen të gjitha aktivitetet të cilat duhet të realizohen për organizimin e këtyre zgjedhjeve” deklaroi Elezi për Indeksonline.

Ai shtoi se, marrë parasysh që këto janë zgjedhje të paplanifikuara, KQZ nuk ka buxhet të ndarë për to.

Për këtë, Elezi pohoi se KQZ do të përgatisë edhe kërkesën ndaj Qeverisë së Kosovës, bashkë me shumën e planifikuar për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve.

Caktimi i datës së këtyre zgjedhjeve, sipas ligjit, nuk mund të bëhet më vonë se 30 ditë pas shpalljes së zgjedhjeve.

Katër komunat veriore kanë mbetur pa kryetarë, pasi të njëjtit dhanë dorëheqje pas shkarkimit të ish-drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë të Veriut, Nenad Gjuriq.

Ditën e djeshme, në veri të vendit u protestua pikërisht për këtë arsye, teksa edhe i pari i Listës Serbe, njëherazi ish-ministër për Komunitete dhe Kthim, Goran Rakiq, dha po ashtu dorëheqje.

Lista Serbe, ndërkohë, është tërhequr edhe nga pjesëmarrja e tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës, bashkë me bojkotin që i kanë bërë shtetit policët dhe gjyqtarët e këtij komuniteti./Indeksonline/