17:38 / E Mërkurë, 14 Gusht 2019 / indeksADMonline

Zgjedhjet 2019- Koalicionet e pashmangshme, gjasat për fitues absolut janë të vogla

Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka bërë të ditur se seanca për shpërbërjen e Kuvendit do të mbahet më 22 gusht.

Me këtë nënkuptohet që së shpejti do të kemi qeveri të re në vend.

E sa i përket se cila parti do të jetë në krye të këtij institucioni mbetët të shihet pas zgjedhjeve.

Analisti për çështje politike, Shkelzen Maliqi ka folur lidhur me këtë teme për Indeksonline, i cili ka komentuar çështjen e koalicioneve duke thënë se partitë e mëdha po shprehen se do të garojnë vetë derisa sipas tij partitë e vogla kërkojnë partnerët për koalicione.

“Çështja e koalicioneve është ende e hapur. Partitë e mëdha po shprehen se do të garojnë vetë të bindura se mund të dalin të parat, ose duan të krijohet një pritje e tillë që mobilizon elektoratin. Partitë e vogla, përkundrazi, kërkojnë partnerët për koalicione sepse nuk janë të sigurta se mund ta kalojnë pragun prej 5%… Në ndërkohë, kur të dihet data e zgjedhjeve mund të rritet nervoza te të dy blloqet për koalicione të minutave të fundit të paraqitjes së subjekteve në KQZ, si në vitin 2017”, ka thënë Maliqi për Indeksonline.

Maliqi gjithashtu ka folur për koalicionin  e mundshëm LDK -VV, që  sipas tij është e vështirë të realizohet një koalicion i tille pasi që këto dy subjekte nuk kanë shumë pajtueshmëri programore, përkundrazi objektivat i kanë në shumë fusha të papajtueshme.

“Opsioni më i përfolur prej disa muajsh ka qenë koalicioni i partive opozitare LDK – LVV, por mendoj se ky koalicion është vështirë i realizueshëm për dy arsye, të dy subjektet do të donin postin e kryeministrit dhe e dyta, nuk kanë shumë pajtueshmëri programore, përkundrazi objektivat i kanë në shumë fusha të papajtueshme. Megjithatë , duhet pritur fushatën ose edhe periudhën pas zgjedhjeve për te parë a është ky koalicion i mundshëm”, tha ai.

Ndërkaq, Maliqi tha se koalicionet do të jenë të pashmangshme pasi gjasat për fitues absolut janë të pakta.

“Dinamikën e koalicioneve besoj se do ta përcaktojnë partitë e vogla sepse ato e kane frikën e mbijetesës nëse nuk gjejnë strehën që i shpëton nga cenzusi i lartë 5%. Vetëm se, në instancë të fundit, koalicionet do të janë të pashmangshme pasi që gjasat që të kemi një fitues absolut të zgjedhjeve janë të pakta, vetëm teorike. Në këtë aspekt asnjë parti nuk do ta përjashtoja nga loja, dhe se as për PDK-në mund të mos këtë vija te kuqe” u shpreh Maliqi.

Ndryshe vendi do të shkojë në zgjedhje pasi që muajin e kaluar kryeministri i vendit ka dhënë dorëheqje nga posti i tij./Indeksonline/