75 Mall Live Search
14:29 / E Mërkurë, 18 Gusht 2021 / OSH

Zgjedhjet 2021/ Rreth 800 aplikacione të dyshimta nga jasht

Sonte deri në mesnatë është afati për t’u regjistruar si votues jashtë shtetit për zgjedhjet lokale që do të mbahen në Kosovë.

Burim Ahmetaj nga Sekretariati i KQZ-së njoftoi se deri më tani numërojnë 10 mijë e 638 aplikime për t’u regjistruar si votues jashtë shtetit, ndërsa prej tyre 9 mijë e 652 aplikacione janë të aprovuara.

Po ashtu, gjatë mbledhjes së KQZ-së u diskutua çështja e hetimit të disa rasteve që janë cilësuar si të dyshimta.

Anëtari i PDK-së në këtë komision, Arianit Elshani, deklaroi se janë evidentuar disa raste të rreth 800 personave prej 800 emaileve që janë dorëzuar në KQZ përmes emailit.

“Për KQZ-në janë të dyshimtë, nuk janë kredibile dhe janë një tendencë ndoshta për manipulimin e zgjedhjeve. Këto i kemi trajtuar dhe kemi rëne në konstatim se pas kontaktimit të 89 aplikacione, vetëm 3 kanë konfirmuar identitetin e tyre, të tjerët s’janë përgjigjur në numrat e tyre të telefonit ose s’kanë qenë funksionalë. Në total është numri prej 800 aplikacioneve të tilla që kanë ardhur”.

Elshani bëri të ditur po ashtu se një numër i madh i kësaj liste votuesish ishin nga komuna e Istogut.

Ai kërkoi që ky material dhe domainet të dorëzohen në hetuesi.