75 Mall Live Search
19:43 / E Enjte, 12 Shkurt 2026 / H F

Zgjedhjet brenda AAK-së, mësohet data e Kuvendit të Përgjithshëm

Kuvendi i Përgjithshëm i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës do të mbahet më 7 qershor të këtij viti, ku do të zgjidhet kryetari i ri i partisë.

Kështu u bë e ditur në njoftimin zyrtar të subjektit politik, ku po ashtu u theksua se kuvendet e nëndegëve do mbahen nga 20 shkurti deri më 31 mars 2026.

“Në përputhje të plotë me Statutin e partisë, fillimisht anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm votuan në mënyrë unanime për formimin e Komisionit për Përzgjedhjen e Kandidatëve dhe Nominime, Komisionit Statutar, Komisionit të Etikës, si dhe për plotësim-ndryshimin e Rregullores për Zgjedhjet në AAK. Në vijim të takimit u votua edhe për formimin e Komisionit për Organizimin dhe Koordinimin e Zgjedhjeve të Brendshme, duke i hapur rrugë shpalljes zyrtare të procesit zgjedhor brenda Aleancës”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, kryetari Ramush Haradinaj, gjatë fjalës së tij, bëri të ditur se nuk do të kandidojë për një mandat tjetër në krye të partisë.

Ai falënderoi të gjitha strukturat e Aleancës në të gjitha nivelet për angazhimin dhe përkushtimin e deritanishëm, duke shprehur bindjen se pas përfundimit të zgjedhjeve të brendshme, AAK do të dalë edhe më e fortë dhe më e përgatitur në sfidat që e presin.

Ndërkaq, nënkryetari aktual i partisë, Ardian Gjini, ka bërë të ditur kandidaturën e tij për kryetar të Aleancës, duke mirëpritur njëkohësisht edhe kandidaturat e tjera.