Zgjedhjet, buxheti, koalicioni, analiza e Naser Osmanit, ish-deputetit të LDK-së
“Fatkeqësisht, gjendja politike në Kosovë është shumë e komplikuar. Vonesat janë të mëdha dhe nuk është bërë përpjekje e mjaftueshme për të dalë nga kjo situatë. Partia në pushtet nuk ka qenë e interesuar për të shkuar në zgjedhje, ndërsa opozita fatkeqësisht vetëm ka pritur dhe ka shikuar nga distanca”.
Kështu e përkushtuan gjendjen aktuale ish deputeti dhe anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Naser Osmani.
Ne një intervistë për Indeksonline, Osmani ka thënë se ekziston ende mundësi dhe tentim për të filluar grumbullimin e nënshkrimeve për një përpjekje të dytë për formimin e qeverisë.
“Ka edhe 10 ditë afat nga Presidentja, dhe 10 të tjera procedurale pra gjithsej 20 ditë kohë për të krijuar qeverinë, nëse ka pak presion dhe vullnet politik. Zgjedhjet e reja do të ishin alternativa më e keqe e mundshme në këtë moment. Konstituimi i këtij Parlamenti ende nuk ka filluar dhe nuk ka dhënë asnjë rezultat.”, tha Osmani.
Ndërsa sa i përket koalicionit dhe ofertës që ia ka bërë lideri i VV-së Albin Kurti LDK-se, ai ka thënë se oferta ishte jo korrekte.
“Gjuha e Vetëvendosjes dhe e liderit të tyre ka qenë e ashpër, duke mos krijuar hapësirë për dialog dhe marrëveshje të mirëfilltë. Albin Kurti duhet ta kuptojë që më kryeministër i Kosovës nuk do të jetë dhe nuk mund të jetë, sepse nuk i ka votat për ta formuar qeverinë si më herët. Ai vetë do të jetë i detyruar që pozitën e kryeministrit t’ia japë dikujt tjetër, nëse dëshiron formimin e një qeverie.”, tha ai.
Po ashtu ka treguar edhe procedurat për votimin e buxhetit.
“Këtë javë ekziston mundësia që Kuvendi të thirret për të konstituuar Komisionin për Buxhet dhe Financa, sepse pa këtë komision nuk mund të ketë buxhet dhe funksionim institucional. Sidomos për Komunat që nuk e kanë miratuar buxhetin Kuvendi është i obliguar të mbajë seancë emergjente, që ato të mund të operojnë deri në fund të vitit.”, tha ai.
Osmani ka folur edhe për performancen e LDK-së në zgjedhje si dhe për balotazhet.
“Pritjet kanë qenë shumë më të mëdha sesa rezultati që doli. LDK ka qeverisur mirë në nivel lokal, ka pasur performancë dhe njerëz të mirë. Ka disa komuna në balotazh ku LDK i ka përparësitë dhe shpresojmë që të përsërisim menaxhimin e mirë të komunave, ashtu si më herët”, tha Osmani duke marrë shembull të mirë të menaxhimit si komuna e Istogut dhe Lipjanit.
Sa i përket koalicionit të mundshëm LDK me Nismën ai ka thanë se LDK duhet ta marrë shembull AAK-në.
“Vendimet duhet të jenë të kujdesshme. Është gabim të përsëriten gabimet e së kaluarës, dhe të merret shembull AAK-ja”, tha Osmani. /Indeksonline/
Për me shumë ndiqeni intervistën e plotë:

