Zgjedhjet e 12 tetorit/ KQZ-ja dështon me një tender, asnjë kompani nuk interesohet për transportin e materialit zgjedhor

Zgjedhjet komunale të 12 tetorit po afrohen, ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), po vazhdon përgatitjet e nevojshme për mbarëvajtjen e procesit.
Lidhur me këtë, KQZ-ja pak ditë më parë ka shpallur ritenderin për transportin e materialit zgjedhor, shkruan IndeksOnline.
Për këtë tender, nuk është paraqitur as edhe një operator ekonomik.
Megjithatë, tenderi në fjalë nuk është arritur të finalizohet me kontratë, kjo pasi nuk ka pasur asnjë ofertues të përgjegjshëm.

“Ky aktivitet i prokurimit është planifikuar për zgjedhjet lokale të datës 12 tetor 2025 dhe kemi tenderuar dy herë përmes procedurës se hapur, mirëpo nuk kemi pranuar asnjë ofertë të përgjegjshme”, thuhet mes tjerash në njoftimin për anulimin e tenderit, nga e- prokurimi.
“AK-KQZ-ja me qellim të arritjes së afateve të furnizimit të nevojshëm për 12. tetor 2025 ka për qellim përdorimin e procedurës se negociuar sipas nenit 35.2.1 (iii). AK-KQZ pavarësisht përdorimit te kësaj procedure do t’ju dërgojë ftesën me shumë se një operatori ekonomik dhe do të bëjë përpjekje maksimale që çmimet e tregut, konkurrenca dhe transparenca të jenë prezentë gjatë prokurimit të këtij aktiviteti te prokurimit andaj mendojmë se mënyra e vetëm e arritjes se qëllimit te këtij aktiviteti te prokurimit është përdorimi i procedurës se negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë”.

Në zgjedhjet e 12 tetorit, të drejtë vote për zgjedhjen e kryetarëve në 38 komuna do të kenë 2 milionë e 69 mijë e 98 votues. Prej tyre, 43 mijë e 993 janë votues jashtë shtetit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më herët ka njoftuar se zgjedhjet e tetorit do të organizohen në 938 qendra votimi me 2.625 vendvotime.
Në këto zgjedhje garojnë 5.626 kandidatë dhe prej tyre 206 janë kandidatë për kryetarë komunash dhe të tjerët për ulëse në kuvende komunale.
Për garën zgjedhore, KQZ-ja ka certifikuar 93 subjekte politike – 32 parti, 32 iniciativa qytetare, dy koalicione dhe 27 kandidatë të pavarur.
Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e fundit lokale në tetor të vitit 2021.