75 Mall Live Search
09:18 / E Martë, 25 Nëntor 2025 / b l

Zgjedhjet e 28 dhjetorit: Këto janë të gjitha afatet kryesore për partitë politike, votuesit brenda e jashtë Kosovës dhe vëzhguesit

Të gjitha aktivitetet zgjedhore përgatitore të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të zhvillohen në një periudhë 37-ditore.

Për shkak të kësaj situate, KQZ ka vendosr që të gjitha afatet e aktiviteteve zgjedhore të shkurtohen dhe t’i përshtaten numrit të këtyre ditëve.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka shpjeguar se shkurtimi i afateve në zgjedhje të parakohshme është një e drejtë ligjore e KQZ-së.

“Meqenëse këto janë zgjedhje të parakohshme dhe KQZ ka në dispozicion vetëm 37 ditë për organizimin e tyre, andaj, KQZ ka vendosur që të ndryshojë afatet kohore dhe t’i përshtas sipas nevojës në pajtim me rrethanat. Kjo është një e drejtë që KQZ-së ia jep Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme. Pra, të gjitha aktivitetet duhet të organizohen brenda këtyre ditëve”, ka bërë të ditur Elezi.

Sipas vendimit të KQZ-së, partitë politike kanë afat që brenda 7 ditësh të deklarojnë koalicionet e tyre dhe për këtë ta njoftojnë KQZ-në (24 nëntor – 30 nëntor 2025).

Po sipas vendimit të KQZ-së, subjketet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) kanë afat 7-ditor që të aplikojnë në KQZ për t’u certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 28 dhjetorit (24 nënt0r – 30 nëntor 2025).

Ndërkaq, subjekteve politike që aplikojnë për certifikim, KQZ u ka dhënëafat 2-javor për dorëzimin e listës së kandidatëve për deputetë (24 nëntor – 7 dhjetor 2025.

Subjektet politike do të tërheqin numrat e tyre për t’u renditur në fletëvotim pasi të përfundojnë me dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve për deputetë (8 dhjetor 2025).

Subjektet politike dhe kandidatët që certifikohen për të marrë pjesë në këtë proces zgjedhor do të mund të zhvillojnë fushatën zgjedhore në një afat prej 11 ditë dhe 7 orë (17 dhjetor – 28 dhjetor, ora 06:59).

Të gjithë qytetarët me të drejtë vote do të mund të ndërrojnë Qendrën e Votimit brenda komunës në një afat 11-ditor (26 nëntor – 6 dhjetor 2025), ndërkaq kundërshtimin e pasaktësive në Listën Votuese do të mund ta bëjnë në një afat 12-ditor (26 nëntor – 7 dhjetor 2025).

Gjatë kësaj jave, KQZ do të miratojë listën e Qendrave të Votimit që do të hapen në përfaqësi diplomatike dhe të caktojë numrin maksima të votuesve që do të mund të regjistrohen për të votuar fizikisht në këto qendra (25 – 26 nëntor 2025).

Po gjatë kësaj jave do të fillojë periudha 11-ditore për regjistrimin online të votuesve jashtë Kosovës (26 nëntor – 6 dhjetor 2025).

Votuesit që do të përzgjedhin gjatë regjistrimit për të votuar në përfaqësi diplomatike, do të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë (27 dhjetor 2025), ndërkaq votuesit e regjistruar për votim përmes postës do të kenë afat 16-ditor për ta dërguar pakon e tyre me fletëvotim në ndonjë nga kutitë postare që KQZ i hap në shtete të ndryshme të botës (12 dhjetor – 27 dhjetor 2025).

Regjistrimi i votuesve me nevoja të veçanta, të cilët do të mund të votojnë në ditën e zgjedhjeve përmes ekipeve mobile, do të bëhet brenda një afati 11-ditor (11 dhjetor – 21 dhjetor 2025).

Se sa do të jetë numri i qytetarëve me të drejtë vote brenda që do të mund të votojnë në vendvotime në Kosovë apo jashtë Kosovës (në përfaqësi diplomatike dhe përmes postës), KQZ do të tregojë me certifikimin e listës së votuesve (10 dhjetor 2025).