75 Mall Live Search
10:00 / E Hënë, 01 Dhjetor 2025 / KV

Zgjedhjet e 28 dhjetorit/ Koalicione të reja, garë e individualizuar dhe 23 subjekte të certifikuara në KQZ

Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit, skena politike në Kosovë ka hyrë në një fazë të re dinamike, me pozicionime të qarta, ndarje koalicionesh dhe rikthim të disa subjekteve në garë të vetme. Partitë politike kanë finalizuar paraqitjet e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke përcaktuar format se si do të konkurrojnë në këtë proces.

Lëvizja Vetëvendosje këtë herë ka zgjedhur të hyjë në garë përmes “Koalicionit Lëvizja Vetëvendosje!”, ku përfshihen LVV-ja, Guxo, Alternativa dhe Partia Shqiptare Demokristiane (PSHDK). Ky është koalicioni kryesor parazgjedhor i këtij procesi, duke shënuar ndryshim nga zgjedhjet e kaluara ku Guxo dhe Alternativa ishin thjesht pjesë e listës së LVV-së.

Ndërkohë, partitë e mëdha parlamentare PDK, LDK dhe AAK kanë vendosur të garojnë të vetme. Po ashtu, e vetme në garë hyn edhe Nisma Socialdemokrate e Fatmir Limajt, e cila në zgjedhjet e fundit ishte pjesë e një koalicioni me AAK-në, por që rrugët u ndanë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Përveç koalicionit të Vetëvendosjes, janë regjistruar edhe dy bashkime të tjera zgjedhore: PAI – PDAK – LPB, që përfshin partitë e komunitetit ashkali dhe koalicioni VAKAT, i përbërë nga tri parti boshnjake.

Në garë do të jenë edhe një numër i madh partish të vetme nga komunitete të ndryshme politike e etnike, përfshirë: Jedinstvena Goranska Partija, Partia Liberale Egjiptiane, Partia Rome e Bashkuar e Kosovës, Kosova Demokratik Türk Partisi, Srpska Lista, Fjala, NDS, LPRK, Kosovski Savez dhe të tjera.

Në zgjedhje kanë aplikuar gjithashtu edhe dy iniciativa qytetare “Për Socialdemokratët e Ashkalinjëve” dhe “Iniciativa Qytetare për Kosovë”, ndërsa si kandidat i pavarur është paraqitur Nexhmidin Sejdilar.

Sipas KQZ-së, nga 24 deri më 30 nëntor kanë aplikuar gjithsej 23 subjekte politike. Tani, deri më 7 dhjetor, të gjitha partitë, koalicionet, iniciativat dhe kandidatët e pavarur duhet të dorëzojnë listat e kandidatëve për deputetë për certifikim përfundimtar.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të sjellin një garë të gjerë dhe të fragmentuar, me një numër të madh subjektesh që synojnë ulësat në Kuvendin e Kosovës./IndeksOnline/