“Zgjedhjet ishin ligjore në Veri, mund të diskutohen në Bruksel si çështje politike”, thotë ish-ministri Ferati!

Ish-ministri i Punëve Pushtetit Lokal, Sadri Ferati i konsideron ligjore zgjedhjet e mbajtura me 23 prill në katër komunat veriore; Zubin Potok, Leposaviq, Zveçan dhe Mitrovica Veriore.
Në një prononcim për “Indeksonline”, ai theksoi se tema e këtyre zgjedhjeve ka gjasa të trajtohet në nivel të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Edhe pse në aspektin ligjor kjo është në rregull, vetëm pritet certifikimi i rezultateve. Të gjithë kryetarët dhe asamblistët e fitojnë mandatin ligjor. Sa i përket legjitimitet mbetet për të dëshiruar. Nga ana tjetër, është vështirë të parashikohet sepse ata që e kanë bojkotuar vështirë që e presin”, u shpreh ai.
Më tej, Ferati tha se kjo çështje mund të shtrihet edhe në aspektin politik.
“Nuk befasohem që në Bruksel do të diskutohet kjo çështje si problem politik”, u shpreh ai, duke shtuar se ekziston mundësia që të shkohet përsëri në zgjedhje të reja.
“…kur është vullneti politik, gjithçka është e mundshme. Palët do të merren vesh dhe pasatja të shkohet në zgjedhje të ardhshme”, tha ai.
Kujtojmë se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) sot do të shpall rezultatet për zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat veriore të Kosovës.
Përmes një komunikate për media, nga KQZ kanë thënë se të martën nga ora 13:15 mban mbledhjen e radhës.
Pikë e rendit të ditës është edhe shpallja e rezultateve për zgjedhjet për kryetar të komunave në Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, si dhe zgjedhjet e parakohshme për kuvendet e komunave në Zveçan dhe Leposaviq. /Indeksonline/