Zgjedhjet Lokale: Koha për vizione, jo vetëm premtime

Shkruan: Albert Kurtulaj
Po futemi në javën e fundit të fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, nga të cilat do të dalin kryetarët e komunave dhe asamblistët e kuvendeve komunale. Kjo është një periudhë vendimtare, sepse këto zgjedhje përcaktojnë drejtimin zhvillimor të qyteteve dhe komunave tona për katër vitet e ardhshme.
Megjithatë, nga ajo që shihet gjatë kësaj fushate, një mangësi e dukshme po del në pah, mungesa e vizionit strategjik të disa kandidatëve për kryetarë komunash. Shumica prej tyre, në vend që të ofrojnë një plan të qartë afatgjatë për zhvillimin urban, ekonomik, shoqëror e kulturor të komunave, janë përqendruar kryesisht në premtime të vogla, të thëna për t’iu përshtatur kërkesave të përditshme të qytetarëve. Këto premtime, megjithëse tërheqëse në moment, nuk arrijnë të krijojnë një vizion të qëndrueshëm për të ardhmen, por mbeten vetëm si gjeste populiste që synojnë të kënaqin secilin individ veçmas, pa menduar për të mirën kolektive dhe afatgjatë.
Personalisht, besoj se roli i një kryetari komune nuk duhet të reduktohet në një listë premtimesh të vogla, por duhet të jetë i lidhur me një mision më të madh, të ndërtojë një strategji zhvillimore gjithëpërfshirëse, të qëndrueshme dhe moderne për qytetin dhe komunën që ai udhëheq. Kjo nënkupton një qasje më të hapur, më vizionare dhe më të guximshme, që shkon përtej kërkesave ditore e përqendrohet në transformimin afatgjatë të komunave tona.
Në këtë drejtim, arsimi duhet të jetë prioriteti numër një në çdo komunë të Kosovës. Asnjë investim tjetër nuk ka ndikim më të madh e më të qëndrueshëm sesa ndërtimi i një sistemi arsimor cilësor, inovativ dhe të përshtatur me sfidat e kohës. Për fat të keq, kjo fushë shpesh mbetet jashtë qendrës së vëmendjes, sepse ndryshimet në arsim nuk prodhojnë rezultate të menjëhershme dhe, rrjedhimisht, nuk konsiderohen populiste. Por në realitet, vetëm përmes një transformimi rrënjësor të arsimit mund të ndërtojmë qytete të zhvilluara, ekonomi konkurruese dhe shoqëri më të drejtë e më të barabartë.
Po ashtu, një vend me shumicë rinore si Kosova nuk mund ta mendojë të ardhmen pa e vendosur rininë në qendër të politikave komunale. Të rinjtë janë energjia, krijimtaria dhe garancia e çdo zhvillimi të ardhshëm. Për ta, komunat duhet të krijojnë hapësira të reja për punësim, arsimim cilësor, kulturë, sport dhe inovacion. Pa një strategji të qartë për rininë, rrezikojmë të humbim brezat më të vlefshëm në emigrim, duke lënë boshllëk të madh në zhvillimin e komunave tona.
Prandaj, zgjedhja e kryetarëve të komunave nuk duhet të bazohet vetëm në premtime të vogla e të përditshme, por në aftësinë e tyre për të ofruar vizion, planifikim strategjik dhe guxim për të marrë vendime të vështira në të mirë të së ardhmes. Vetëm përmes prioritizimit të arsimit dhe rinisë mund të ndërtojmë komuna më të forta, më të zhvilluara dhe më të drejta për të gjithë. Kjo është ajo që i mungon sot fushatës, dhe kjo është ajo që qytetarët duhet të kërkojnë me ngulm.