Zgjedhjet në veri, KQZ cakton shumën për shpenzimet e fushatës zgjedhore
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga kryetarja, Valdete Daka, bëri të ditur KQZ përmes një njoftimi për media.
Në këtë mbledhje u njoftua lidhur me procesin e krijimit të listës preliminare të votuesve për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë të komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan, të cilat do të mbahen më 19 maj.
Sipas të dhënave jopërfundimtare, numri i votuesve në këto katër komuna është: 58 mijë e 520 votues, apo 1 mijë e 507 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të vitit 2017.
Mbështetur në të dhëna jopërfundimtare, numri i votuesve në Mitrovicën e Veriut është 22 mijë e 242; në Zubin Potok 8 mijë e 612; në Leposaviq 18 mijë e 390; dhe në Zveçan 9 mijë e 276.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ-ja mori vendim për kufizimin e shpenzimeve të fushatës zgedhore (13 maj – 17 maj) të zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave: Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.
Sipas vendimit të KQZ-së, duke u mbështetur në Rregullën zgjedhore për kufizimin e shpenzimeve të fushatës, shuma e mjeteve për shpenzimet e fushatës zgjedhore është 0.5 euro për votues të regjistruar në komunën përkatëse.
Vendimi i KQZ-së mbështetet në listën jopërfundimtare të votuesve në këto katër komuna. /Indeksonline/