75 Mall Live Search
18:35 / E Hënë, 24 Prill 2023 / S Z

Zgjedhjet në Veri/ Krasniqi: Institucionet nuk burojnë nga vullneti i qytetarëve

Të dielën u mbajtën zgjedhjet lokale  në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç. Serbet bojkotuan këto zgjedhje dhe se vetëm 1.567 qytetarë apo 3.47 për qind  të qytetarëve me të drejtë vote morën pjesë në zgjedhje.

Analisti Albert Krasniqi ka thënë për “Indeksonline” se zgjedhjet e mbajtura në veri dhe dalja e ulët e qytetarëve për të votuar, vjen si pasojë e një ngutie të institucioneve .

“Duhet të konstatojmë se deri te ky de funksionalizim që ka ndodhur atje institucional të pushtetit lokal dhe mekanizmat tjerë të drejtësisë, po vjen për shkak të një veprimi të pa kalkuluar mirë të Qeverisë së Kosovës, për të imponuar vendosjen e  tabelave të RKS- së dhe pa një koordinim me bashkësinë ndërkombëtare. Krejt këto, zgjedhjet dhe dalja e ulët si pasojë e një ngutie të institucioneve që krye në vete, që t’i bëjë disa procese që nuk mund të bëhen pa koordinim me bashkësinë ndërkombëtare”, tha Krasniqi.

Krasniqi thotë se sa i përket aspektit ligjor, nuk është me rëndësi përqindja e pjesëmarrjes në zgjedhje.

“Nuk është me rëndësi përqindja në aspektin ligjor. Edhe vetëm një qytetar i vetëm nëse do të merrte pjesë në zgjedhje, do t’i plotësonte kërkesat ligjore të certifikimit të mandateve”, tha ai.

Por sipas tij  institucionet e dala nga këto zgjedhje, nuk burojnë nga vullneti i qytetarëve dhe si të tilla nuk do të mund ta ushtrojnë autoritetin e tyre.

” Këto institucione, nuk burojnë prej vullnetit të qytetarëve atje dhe nuk do të mund ta ushtrojnë autoritetin e tyre. Këto institucione të cilat do të themelohen prej këtyre zgjedhjeve, nuk do ta kenë mundësinë as të mbledhin taksat e qytetarëve, por as të bëjnë investime në këto lokalitete, për shkak se nuk do të njihen si autoritete legjitime prej banorëve lokal”, tha ai.

E gjithë kjo sipas tij, do të jetë vetëm një improvizim deri në zgjedhjet e ardhshme të rregullta në këtë pjesë të vendit.

“Gjithë kjo periudhë sa ka mbetur, dy vite e më pak të mandatit të tyre, do të jetë vetëm një improvizim, thuajse kemi institucione atje, sa për t’i pritur  zgjedhjet e ardhshme dhe të rregullta dhe një marrëveshje politike,  që është e pashmangshme në mes të Kosovës dhe Serbisë në procesin e  dialogut që po fasilitohet nga BE”, tha ai.

Sipas Krasniqit, gjithë kjo situatë e krijuar atje,  vjen për shkak se Beogradi e kontrollon këtë pjesë të territorit të Kosovës.

“Mjaftoi një fjalë e presidentit Vuçiç që gjithë qytetarët atje t’i bojkotojnë zgjedhjet. Dhe nuk ishte meritë e mekanizmave të sigurisë mbajtja e zgjedhjeve, por që Aleksandër Vuçiç u kërkoi qytetarëve që të rrinë qetë dhe t’i injorojnë ato”, tha ai.

.

E gjithë kjo sipas tij është një lojë e Kosovës dhe Serbisë, për t’i rivendosur pozicionet e tyre në dialog.

“Krejt kjo është një lojë e Kosovës dhe Serbisë për të rivendosur qëndrimet ose pozicionet e tyre në raport me dialogun . Serbia nuk ka lejuar të mbahen këto zgjedhje, sepse po kërkon themelimin e Asociacionit me kompetenca  ekzekutive. Dhe tani ata mund të jenë në një pozitë me të favorshme, sepse po tregojnë se kanë kontrollin efektiv mbi këtë pjesë të territorit t Kosovës. Dhe  Kosovën ka me vendos në një pozicion  më të disfavorshëm në procesin dialogues, veçanërisht në diskutimet që do të ndodhin për Draft Statutin e Asociacionit”, ka thënë Krasniqi./ IndeksOnline/