75 Mall Live Search
21:14 / E Mërkurë, 29 Tetor 2025 / S Z

Zgjedhjet, opsion i vetëm sipas analistëve

Presidentja Vjosa Osmani, e cila po e vazhdon vizitën në Riad, me t`u kthyer në Kosovë, i bie t`i presë në takim liderët e partive politike në konsultime. Takimi i saj vjen pas dështimit të mandatarit të parë, Albin Kurti, që t`i marrë votat e mjaftueshme për ta krijuar qeverinë. Tani presidentja Osmani e ka edhe një javë kohë, sipas diskrecionit të saj, nëse do të vendosë për mandatarin e dytë. Por, njohësit e zhvillimeve politike, zgjedhjet e jashtëzakonshme po i shohin të vetmin opsion.

Njohës të zhvillimeve politike theksojnë se bashkëqeverisja dhe partneriteti ndërmjet partive politike janë të domosdoshme për një bashkëqeverisje të qëndrueshme.

“Me gjasë zgjedhjet janë opsioni i vetëm që kanë mbetur, nuk do kemi një rezultat ndryshe nga kjo çfarë kishte ndodhur muaj më parë, nuk është arritur diçka për të përmbysur rezultatet e pritshme që do t’i kemi në vijim”, dekalroi analisti Dorajet Imeri.

“Besoj që bashkëqeverisja, partneriteti duhet t’i shtyjnë partitë politike të reflektojnë. Është shumë e rëndësishme që zgjedhjet lokale po përfundojnë dhe diskursi polarizues i aplikuar së fundmi të zvogëlohet në mënyrë që të krijohen kushtet për një bashkëqeverisje stabile”, tha ai.

Hulumtuesit nga Instituti i Kosovës për Drejtësi po ashtu i shohin zgjedhjet e reja si opsion të vetëm duke pasur parasysh mungesën e vullnetit politik nga partitë e tjera për formim të qeverisë.

“U pa edhe nga partitë e tjera opozitare të legjislaturës së 8-të, nuk janë të interesuar të formojnë një bashkësi politike prej këtyre partive në mënyrë që ta marrin mandatin nga ana e presidentes. U pa qartë që nuk ka vullnet politik edhe nga partitë PDK, LDK, AAK, Nisma që të ketë një qeveri tjetër për të cilën do mblidheshin të shkonin te presidentja dhe t’i thonë se i kemi 61 nënshkrime ose numrat e mjaftueshëm që presidentja me ua dhënë mandatin”, pohoi Naim Jakaj nga IKD.

Presidentja e shtetit Vjosa Osmani, e ka në diskrecionin e saj që ta caktojë një mandatar tjetër për formimin e Qeverisë brenda 10 ditësh, sipas afatit kushtetues./rtk/