Zhduket nga Suedia bufi i dëborës, shkak ndryshimet klimatike
Bufi i dëborës është shpallur i zhdukur në nivel rajonal në Suedi. Për herë të parë në 20 vjet, vendi ka humbur zyrtarisht një specie shpendi.
Shkencëtarët theksojnë se ndryshimet klimatike kanë ndikuar ndjeshëm në rënien e numrit të tyre, duke prishur ekosistemin e brishtë arktik.
“Dimrat më të ngrohtë sjellin më shumë shi dhe më pak borë, duke shkatërruar tunelet e borës ku mbështeten lemingët – burimi kryesor i ushqimit të bufëve të dëborës,” shpjegoi revista BirdLife International.
Bufi i dëborës, një nga speciet më të mëdha të bufëve në botë, jeton në rajonet e ftohta të Arktikut, përfshirë Alaskën, Kanadanë, Rusinë veriore dhe Skandinavinë.
Ai është bërë i njohur edhe në kulturën popullore përmes personazhit Hedwig në filmat e Harry Potter.
“Është e vështirë të ngatërrosh një Buf të Dëborës me një zog tjetër. I madh, i bardhë i ndezur dhe tepër i hijshëm, është një nga bufët më të mëdhenj në botë. Normalisht folezon shumë lart në Arktik, pas rritjes dhe rënies së popullatave të lemingëve. Në vitet e mira, kur ushqimi është i bollshëm, disa migrojnë në jug dhe vendosen në malet suedeze.”
Në nëntor, Qendra Suedeze e Informacionit për Speciet propozoi klasifikimin e bufit të dëborës si “të zhdukur” në Suedi, pasi nuk është vërejtur asnjë folezim që nga viti 2015.
Ky institucion, pjesë e Universitetit Suedez të Shkencave Bujqësore (SLU), përditëson Listën e Kuqe çdo pesë vjet, ndërsa versioni i rishikuar pritet të publikohet në mars 2026.
Por jeta nuk ka qenë kurrë e lehtë për këtë specie. Në vitet 1800, në disa pjesë të botës, ajo ishte ndër bufat më të persekutuar. Mijëra u qëlluan për taksidermi, dhe të rriturit dhe vezët u gjuanin për ushqim.
Sipas një studimi të botuar në revistën Bird Conservation International në fund të vitit 2024, popullata globale e bufëve të dëborës vlerësohet në 14,000 deri në 28,000 individë në çiftëzim.
Në vitin 2017, Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) e klasifikoi specien si të cenueshme, pas një rënieje prej rreth 30% të popullatës globale në dekadën e fundit.
Megjithatë, biologu Mikael Svensson nga Banka e të Dhënave të Specieve SLU thekson se, edhe pse nuk shihen më në Suedi, bufët e dëborës nuk janë zhdukur nga e gjithë Skandinavia. Një rikthim i lemingjeve mund të nxisë, me kalimin e kohës, rikthimin e bufëve të dëborës, të cilët migrojnë në mënyrë të çrregullt për mijëra kilometra, në varësi të disponueshmërisë së gjahut.
Pavarësisht këtyre sfidave, Bufët e Borës janë zogj të jashtëzakonshëm. Ata mund ta dëgjojnë prenë e fshehur nën borën e thellë dhe zhyten drejt e nëpër të për ta kapur atë.
Të kamufluar në mënyrë të përsosur në peizazhin arktik, ata mund të jetojnë për dekada në disa nga kushtet më të ashpra në Tokë.
Dhe për një kohë të gjatë, Suedia u ofroi pikërisht atë që u nevojitej: mot të ftohtë, peizazhe të hapura, ligatina dhe shumë brejtës.

