75 Mall Live Search
15:13 / E Hënë, 31 Maj 2021 / k.v

Zhduket polici kufitar i Malit të Zi, dyshohet se ka humbur në Shqipëri

Mediat malazeze kanë njoftuar humbjen e ish-drejtorit të Policisë së Ulqinit, Rudolf Elezoviç.

Dyshohet se ai ka humbur që prej 27 majit dhe se mediat atje, shkruajnë se humbja e tij ka ndodhur në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, në zonën mes fshatrave Pentar dhe Reç.

Ka qenë gruaja e tij që ka raportuar zhdukjen e tij, dhe se sipas saj ai ka humbur çdo kontakt me familjen.

Nga informacionet fillestare mësohet se Elezoviç, ka qenë i përfshirë në sektorin e anti-trafikut në Policinë Kufitare të Malit të Zi.

Elezovic shërbeu si shef i policisë së Ulqinit për pothuajse gjashtë vjet, deri në vitin 2014-ën, kur u zëvendësua nga Sead Djozovic.

Policia u informua se oficeri i tyre u largua nga shtëpia pesë ditë më parë dhe që atëherë nuk ka telefonuar në familje.

Policia malazeze gjithashtu informoi kolegët e saj në rajon për zhdukjen e kolegut të tyre, dhe anëtarë të policisë shqiptare janë gjithashtu të përfshirë në kërkim.

Ata bëjnë me dije se janë marrë deklarata nga disa persona, përfshirë kolegët e tij që ishin në kontakt me të para zhdukjes së tij.

Stacionet bazë po kontrollohen gjithashtu për të gjetur lëvizjen e këtij zyrtari policor. Policia nuk mund të siguronte ndonjë informacion zyrtar, përveç se u raportua për zhdukjen.

Ai ishte përgjegjës për mbikëqyrjen dhe kontrollimin e kalimit të kufirit shtetëror në Portin e Tivarit, pikat kufitare Sukobin dhe Tivar, si dhe të gjithë kufirin shtetëror në territorin e komunave të Ulqinit dhe Tivarit.

Elezoviç gjithashtu drejtoi departamentin që merret me zbulimin dhe parandalimin e migrimit të ligjshëm të njerëzve dhe lëvizjen e mallrave përtej kufirit shtetëror jashtë vendkalimeve të vendosura kufitare.