12:14 / E Martë, 17 Tetor 2017 / indeksADMonline

Zhdukja e këngëtarit çeçen lidhet me fushatën kundër homoseksualëve

Përfaqësues të një organizate që i monitoron të drejtat e homoseksualëve konsiderojnë se një këngëtar nga Çeçenia, i cili ishte zhdukur në muajin gusht të këtij viti, është arrestuar nga autoritetet lidhur me fushatën, në shënjestër të së cilës janë homoseksualët në këtë rajon jugor të Rusisë.

Kjo deklaratë e themeluesit të Rrjetit LGBT në Rusi, Igor Kochetkov, në një konferencë për shtyp dje në Moskë, shënon rastin e parë që aktivistët publikisht e kanë ndërlidhur zhdukjen e këngëtarit, Zelimkhan Bakayev, me fushatën e dyshuar të burgosjeve dhe torturës së dhjetëra meshkujve në Çeçeni këtë vit.

Këngëtari Bakayev, familja e të cilit thotë se ai është parë për herë të fundit më 8 gusht në kryeqytetin Grozni të Çeçenisë, duket se është zhdukur në valën më të re të goditjes kundër homoseksualëve në këtë rajon dhe atyre që janë të dyshuar se janë homoseksualë, ka thënë zoti Kochetkov.

Zyrtarët perëndimorë të alarmuar

Raportet për arrestimet i kanë alarmuar zyrtarët perëndimorë, përfshirë kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, të cilët këtë çështje e kanë shtruar në takimet e tyre me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, më herët këtë vit.

Ramzan Kadyrov, lideri i Çeçenisë, që mbështetet nga presidenca ruse, këto raporte i ka vlerësuar si “gënjeshtra”.

“Në fund të muajit gusht, ne kemi marrë konfirmim për supozimet tona të mëhershme se Bakayev ishte burgosur nga autoritetet e Çeçenisë për shkak të dyshimit për homoseksualitet”, tha Igor Kochetkov në konferencën për gazetarë.

Kjo deklaratë para gazetarëve ishte e paraparë të koincidonte me publikimin e raportit të ri të së përditshmes së respektuar ruse, Novaya Gazeta, për keqtrajtimet e dyshuara kundër homoseksualëve nga autoritetet e Çeçenisë.

Në muajin prill, Novaya Gazeta, ishte kompania e parë mediale që e publikoi raportin për fushatën kundër homoseksualëve në Çeçeni. Prej kësaj kohe, homoseksualët nga rajoni i kanë paraqitur tregimet e tyre për Radio Evropën e Lirë dhe mediat e tjera, dhe për ikjen e tyre nga abuzimet, me të cilat ballafaqoheshin në këtë rajon në Kaukazin Verior.

“Më kanë rrahur dhe kërcënuar me vrasje”

Para gazetarëve në Moskë është paraqitur personi për të cilin konsiderohet se ishte viktima e parë e goditjes së dyshuar, që publikisht e ka treguar rastin e tij dhe që ka bërë fletëparaqitje penale lidhur me këtë çështje.

Ky person me emrin, Maksim Lapunov, rasti i të cilit ishte detajizuar në raportin më të ri të së përditshmes, Novaya Gazeta, u tha gazetarëve se ishte arrestuar në një rrugë në Grozni, në fund të muajit mars, nga persona me rroba civile.

Ai mëtutje ka treguar se zyrtarët të cilët kishin biseduar me të e kishin bërë të qartë se ai po mbahej pasi është homoseksual dhe se hetuesit ishin përpjekur që nga ai të zbuloheshin emrat e personave të tjerë të ndërlidhur me homoseksualitet, e në mënyrë specifike në Grozni.

Pos rrahjes, Lapunov tha se i ishin kërcënuar me vrasje dhe me torturë.

Ai për Novaya Gazeta tha se beson se ishte liruar vetëm për shkak se kishte pasur shumë dëshmitarë të arrestimit të tij dhe se të afërmit e tij e kishin paraqitur një raport për zhdukje tek autoritetet në rajonin Perm, prej nga ai e kishte prejardhjen.

Duke e përshkruar gjendjen e tij fizike pas lirimit, Lapunov u tha gezatarëve se “mezi ecte”.

Kochetkov: 27 vetë pretendojnë se janë rrëmbyer dhe torturuar

Ai i njoftoi gazetarët se së bashku me aktivistët për të drejtat e njeriut, që e kishin ndihmuar, e kishte bërë një fletëparaqitje te avokatja e popullit e Kremlinit, Tatyana Moskalkova, më 29 gusht, por hetimet as që kishin filluar.

Moskalkova para disa ditësh, duke mos e treguar emrin e Lapunovit, tha se zyra e saj kishte kërkuar nga autoritetet që të hapin hetime lidhur me këtë ankesë nga ky individ, i cili ka shprehur dyshime se është keqtrajtuar në bazë të orientimit seksual.

“Kur hetimi të kryhet, ne mund të fillojmë të flasim për informacion të plotë”, tha Moskalkova për agjencinë Interfax.

Igor Kochetkov nga Rrjeti LGBT në Rusi thotë se prej prillit të këtij viti, kësaj organizate i janë paraqitur 70 vetë lidhur me fushatën e dyshuar kundër homoseksualëve në Çeçeni. Prej tyre, 27 vetë pretendojnë se janë rrëmbyer dhe torturuar, tha Kochetkov.

Sipas tij, 15 vetë të dyshuar se ishin homseksualë, u janë kthyer familjeve të tyre, por ata praktikisht pothuajse ishin zhdukur menjëherë.

Thellohet misteri rreth këngëtarit

Familja e këngëtarit të muzikës pop, Zelimkhan Bakayev, i cili kishte ambicje të depërtojë edhe jashtë Çeçenisë, u ka bërë presion të kotë autoriteteve për informacion lidhur me vendndodhjen e tij. Misteri rreth fatit të këtij këngëtari është thelluar muajin e kaluar, kur në një video të postuar në rrjetin, YouTube, është parë një person që i përngjante Bakayevit, i cili pretendonte se ishte në Gjermani. Por, kjo video, e cila me të shpejtë ishte publikuar nga mediat nën kontroll të qeverisë në Çeçeni, në fakt, nuk përmbante prova se këngëtari ishte në Gjermani.

Zelimkhan Bakayev (djathats)

Zelimkhan Bakayev (djathats)

Personi i përshkruar në paralajmërimin e videos në YouTube, si Bakyev, shihej duke e thithur një nargjile të pandezur në një dhomë me perde të mbyllura. Në tavolinën në këtë dhomë ishte një kanaçe me logon e një pijeje energjetike që shitet në Rusi, por jo në Gjermani, ndërsa mediat ruse kanë vërejtur se mobiljet në këtë dhomë ishin të prodhimit rus.

Zyrtarët në Çeçeni kanë sugjeruar se Bakayev thjesht ishte larguar nga vendi.

Kochetkov u tha gazetarëve se policia në Çeçeni kishte refuzuar ta hapë rastin penal lidhur me zhdukjen e këngëtarit Bakayev.

Mëtutje, Kochetkov ka theksuar se individët e tjerë të ndërlidhur me industrinë argëtuese në Çeçeni i ishin nënshtruar “torturës” drisa autoritetet “ishin përpjekur të merrnin informacione për njohjen” e tyre me Bakayevin dhe “nëse ata kishin pasur marrëdhënie seksuale” me të.

Ramzan Kadyrov, lider i Çeçenisë, që mbështetet nga Kremlini, është akuzuar nga aktivistët për të drejtat e njeriut se i përdorë forcat e tij të sigurisë për të imponuar rend dhe për t’i goditur ata që mendojnë ndryshe.

Më herët këtë vit, ai i ka thënë rrjetit televiziv amerikan, HBO, se “ne këtu nuk kemi njerëz të këtij lloji dhe se ne nuk kemi asnjë homoseksual”./REL