12:01 / E Martë, 30 Prill 2019 / indeksADMonline

“Zhgënjimi i Serbisë në takimin e Berlinit, Kosova doli fituese”

Gjermania dhe Franca gjatë ditës së djeshme zhvilluan takim me liderët e Ballkanit Perëndimor. Nikoqirët e këtij takimi kancelarja Angela Merkel dhe Emmanuel Macron bashkërisht biseduan për një sërë çështjesh që vazhdojnë të preokupojnë qytetarët e këtyre vendeve.

Njohja e pavarësisë së Kosovës, çështja e liberalizimit të vizave, heqja e taksës kanë qenë disa nga temat për të cilat është folur në këtë samit.

Samiti në fjalë po vlerësohet të jetë në një farë mënyrë i suksesshëm, kjo për faktin se pas një kohe të gjatë arriti t’i bashkojë në një tavolinë liderët e Ballkanit, thotë njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri.

 “Samiti i Berlinit si takim i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor ishte i suksesshëm me vetë faktin se pas një kohe relativisht të gjatë pati takim, ku u hapën të gjitha çështjet, u shprehën qëndrimet e vendeve individuale për marrëdhëniet shumëpalëshe dhe dypalëshe dhe këtu është caktuar edhe takimi i radhës më 1 e 2 korrik në Paris”, ka thënë Tahiri në një bisedë për Indeksonline.

Sipas tij, tema të ndryshme u hapën porse asnjë nga to nuk është mbyllur.

“Kosova nuk morri asnjë premtim si liberalizimi i vizave për qytetarët e saj do të ndodhë brenda këtij viti. Gjithashtu, përveç nxitjes për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë asgjë të prekshme nuk pati se kur do të rinisin bisedimet dhe si do të arrihet marrëveshja gjithëpërfshirëse për normalizimin ndërmjet këtyre dy shteteve”, ka shtuar tutje ai.

Nga ana tjetër, Tahiri thotë se pas këtij takimi Serbia mbeti e zhgënjyer në lidhje me Kosovën.

“Serbia mbeti e zhgënjyer se nuk pati një presion më të fuqishëm për heqjen e taksës ndërsa Kosova pse nuk pati presion që të njihet Pavarësia e Kosovës pa kushte nga Serbia, nga Bosnja dhe Hercegovina dhe nga pesë e mbetura të Bashkimit Evropian”, vlerëson ai.

Kujtojmë faktin se me ftesë të presidentit Macron, Kosova dhe Serbia do të takohen më datën 1dhe 2 korrik në Paris, kjo me qëllim të përmisimit të raporteve mes dy shteteve. /Indeksonline/