75 Mall Live Search
21:28 / E Enjte, 04 Gusht 2022 / Gj. Sh

Zhvillime pozitive te Feronikeli, kjo është situata aktuale në klub

Klubi i futbollit Feronikeli, sivjet ra nga elita kosovare pas 10 viteve të kaluara aty.

Një klub me 48 vite histori, stinorin që lamë pas shkaku i telasheve financiare u detyrua të luajë me futbollistë juniorë e kjo ndikoi që  mos-përvoja e lojtarëve të sjellë edhe rënien në Ligën e parë.

Përgjatë 10 viteve sa qëndroi në elitë, që nga rikthimi në stinorët 2012/13, Nikli arriti të fitojë tre tituj të kampionit (2014/16, 2018/19), gjersa në stinorin 2019/20 luajti edhe në kualifikimet e Ligës së Kampionëve dhe në Europa Ligë.

Gjithë këto suksese të arritura ndër vite, duket se kanë bërë që drejtuesit e klubit të mos ndihen rehat dhe të synojnë rikthimin e skuadrës aty ku e ka vendin.

Në lidhje me zhvillimet e fundit te Feronikeli, për Telenews.al ka folur kryetari i ri i klubit, Erlind Krasniqi.

”Është e vërtetë, dy vitet e fundit ishin ndoshta ndër vitet më të vështira të Feronikelit, sido që të jetë nuk mund të rrijmë e ta “vajtojmë” historinë, por duhet bërë punë në riorganizimin e klubit. Stinori i ri besoj që do të jetë më i qetë, do të ketë më pak lajme të krizave e më shumë të sukseseve”, tha fillimisht Krasniqi.

Në vitin e rënies nga Superliga, te Feronikeli ka ndodhur një riorganizim i ri, çfarë po ndodhë te tre herë kampionët e Kosovës?

”Detaje nuk mund të jap edhe shumë pasi që jemi në përfundim të realizimit të një formule, ku do të përfshihen shumë biznese në mbledhjen e sa më shumë fondeve për riorganizim dinjitoz siç i takon Feronikelit dhe mendoj se do të ketë sukses”, shprehet ai.

Krasniqi foli shkurtimisht edhe për kompletimin e skuadrës.

”Mendoj që jemi shumë afër kompletimit të skuadrës për sezonin e ri dhe jam i kënaqur me emrat që kemi në klub. Po shpresoj që do t’ia dalim të rikthehemi aty ku e kemi vendin”, por siç ka mësuar Telenews.al në krye të ekipit është vënë kryetrajneri prishtinas, Granit Begolli i cili ka ardhur së bashku me disa lojtarë me shumë përvojë si: Xhevdet Shabani, Labinot Ibrahimi,, Lapidar Lladrovci, Donat Sheqerolli, Dardan Rugova, Alban Shabani etj.

Porse, ka zhvilluar Feronikeli ndonjë faze përgatitore sivjet dhe sa janë të gatshëm për sezonin e ri?

”Thënë të drejtën nuk kishim mundësi të zhvillimit të një faze përgatitore jashtë Kosovës, sidoqoftë mendoj që kemi punuar jashtëzakonisht shumë në raport me mundësitë që kishim. Andaj besoj që edhe kështu mund t’ia dalim, sepse ka pasur efikasitet”, thotë ai.

Cilat janë synimet e klubit të Feronikelit për edicionin që po vjen dhe vitet në vijim?

”Synimet janë rikthimi në Superligë, sa më parë që të jetë e mundur, synimet i kanë të qarta të gjithë brenda Feronikelit dhe kështu besoj se rikthimi do të ndodhë shpejtë edhe pse nuk duam të premtojmë”.

Krejt në fund, Krasniqi pati edhe disa fjalë për anën mediale, duke ju kërkuar falje këtyre të fundit për mungesën e transparencës”.

”Ju falënderoj për mbështetjen mediative që i keni dhënë klubit dhe ju kërkoj falje për mungesën e transparencës kohëve të fundit. Sidoqoftë gjithçka do të kthehet në normalitet”, përfundoi prononcimin Krasniqi.