75 Mall Live Search
11:46 / E Premte, 16 Maj 2025 / k.v

Zhvillime të reja në rastin e tentativëvrasjes ndaj një polici në Pejë – Bastisje, armë dhe arrestime

Policia e Kosovës ka ndërmarrë sot një aksion të gjerë në lidhje me rastin e tentativëvrasjes së një zyrtari policor, ngjarje kjo e ndodhur më 29 janar 2025 në rrugën “Mikel Marku” në Pejë.

Zëdhënësi për rajonin e Pejës, Driton Rugova, ka konfirmuar për Indeksonline se Drejtoria rajonale e policisë në Pejë, në bashkëpunim me stacionin policor në Deçan dhe me njësitë përkrahëse nga drejtoritë rajonale të Gjakovës dhe Gjilanit, kanë realizuar planin operativ të hetimit për këtë rast.

Sipas Rugovës, gjatë aksionit janë bastisur tetë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar tri armë zjarri, 19 fishekë dhe një jelek antiplumb. Po ashtu, janë arrestuar dy persona të dyshuar, të cilët po intervistohen nga hetuesit në prani të avokatëve të tyre.

Rasti i tentim-vrasjes kishte ndodhur pasdite më 29 janar, kur një zyrtar policor ishte sulmuar fizikisht dhe dyshohet se ishte qëlluar edhe me armë zjarri. Në atë kohë, pesë persona u identifikuan si të dyshuar për përfshirje në incident: V.Kurmehaj, SH.Krasniqi, D.Lajqi, F.Lajqi dhe D.Musaj. Katër prej tyre ishin në arrati.

Polici i sulmuar nuk kishte pranuar tretman mjekësor, ndërsa D.Musaj, që dyshohet se ishte sulmuar nga bashkëpjesëmarrësit me mjete të forta, kishte kërkuar ndihmë mjekësore dhe ishte paraqitur në stacionin policor. Gjatë kontrollit tek ai ishte gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri.

Në vendin e ngjarjes, policia kishte sekuestruar edhe disa gëzhoja si prova materiale.

Me vendim të prokurorit të shtetit, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë” dhe hetimet po vazhdojnë me intensitet të shtuar për të kapur edhe personat e tjerë të dyshuar./IndeksOnline/