12:17 / E Enjte, 04 Gusht 2022 / A. M.

Zhvillimet e fundit në Podujevë, reagon ish kryetari Agim Veliu

Rreth zhvillimeve të fundit që po ndodhin në Komunën e Podujevës, ku pati shkarkime e dorëheqje të drejtorëve, ka reaguar ish kryetari i kësaj komune, tani deputet i LDK-së, Agim Veliu.

Ai ka thënë se modeli i keqqeverisjes në nivel qendror po bartet edhe në nivelin lokal, transmeton IndeksOnline.

Këto komente Veliu i ka bërë në profilin e tij në Facebook.

Statusi i plotë i Veliut: ‘’Modeli i keqqeverisjes në nivel qendror po bartet edhe në nivelin lokal. Dorëheqjet dhe shkarkimet që po ndodhin në ekzekutivin komunal të Podujevës janë pasqyrë e qeverisjes abuzive dhe korruptive nga Lëvizja Vetëvendosje. Pas akuzave të drejtorit të shkarkuar të Inspeksionit ndaj kryetarit të Komunës, për lejimin e ndërtimeve ilegale në qytet dhe në zonën e Liqenit të Batllavës, do të duhej të intervenonte prokuroria. Ndërhyrja e organeve të drejtësisë është e domosdoshme për ndërprerjen e qeverisjes korruptive, por edhe diskriminuese brenda administratës komunale. Qytetarët e Llapit nuk do të lejojnë që praktikantët e LVV-së të degradojnë e rrënojnë atë që është ndërtuar për 20 vite me taksat e tyre’’. /Indeksonline/