14:20 / E Premte, 26 Maj 2023 / S Z

Zhvillimet në veri, Krasniqi: E kemi obligim t’ua sigurojmë kryetarëve kryerjen e obligimeve

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka reaguar pas tensioneve në tri komunat veriore, Zveçan, Leposaviq e Zubin-Potok.

Ai në një status në “Fecebook” , ka thënë se institucionet qendrore e kanë obligim që t’ua sigurojnë dhe mundësojnë kryetarëve të rinj përmbushjen e obligimeve të tyre kushtetuese e ligjore.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Pas mbajtjes së zgjedhjeve të datës 23 prill, janë mbajtur seancat konstituive në Mitrovicën Veriore, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Dje u betuan edhe kryetarët e komunës së Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit. Për ta sot është dita e parë e punës. Punë dhe shërbim të cilin duhet ta kryejnë nga zyret e Komunave bashkë me shërbyesit civilë.

Ata janë zotuar që do t’i shërbejnë të gjithë qytetarëve pa dallim. Si ministri dhe institucione qendrore japim mbështetjen tonë të plotë në përmbushjen e obligimeve kushtetuese dhe ligjore të kryetarëve të rinj. E si institucione qendrore e kemi obligim që t’ua sigurojmë dhe mundësojmë përmbushjen e këtyre obligimeve.

Komuna është e qytetarëve. Qytetarët nuk mund të mbeten pa komunë.