10:14 / E Enjte, 16 Nëntor 2017 / indeksADMonline

Zi kombëtare në Greqi pas vdekjes së 15 personave nga përmbytjet

Të paktën 15 persona kanë vdekur për shkak të rrëshqitjeve të tokës në tre zona të periferisë së Athinës pas shirave të rrëmbyeshëm.

Kryeministri grek Aleksis Cipras shprehu në një mesazh në “Tëitter” trishtimin e tij të thellë dhe shpalli zi kombëtare për këtë tragjedi.

“Të paktën 12 të tjerë janë shtruar në spital, ndërsa një person është shpallur i humbur”, njofton agjencia zyrtare greke e lajmeve ANA.

Shumë persona kanë mbetur të bllokuar në shtëpitë e tyre ndërsa të tjerë janë marrë nga ujërat gjatë kohës që ishin përjashta ose në automjetet e tyre.

Madje trupat e dy personave kishin dalë deri në det, ku i kishte gjetur policia portuale.

“Ky është njësoj si një cunami”, deklaroi Evangelos Kolovetzos, një tregtar dyqani i të cilit ishte shkatërruar krejtësisht.

Pas shirave të rrëmbyer gjatë natës, përrenj prej balte përmbytën herët në mëngjes rajonet e Nea Peramos, Mandra dhe Megara rreth 50 kilometra në perëndim të Athinës.