Zjarr në depon e parfumeve në Turqi, 6 të vrarë dhe 4 të plagosur
Të paktën gjashtë persona humbën jetën dhe katër të tjerë u plagosën nga një zjarr në një depo parfumesh në Dilovasi të Turqisë veriperëndimore.
Një nga të plagosurit është në gjendje më të rëndë dhe aktualisht ndodhet në spital, ndërsa zjarri është vënë nën kontroll, por ndërtesa është dëmtuar rëndë.
Flakët u përhapën në çatinë e ndërtesës ngjitur, por banorët njoftuan menjëherë zjarrfikësit që mbërritën në vendngjarje dhe punuan për shuarjen e zjarrit.
Pasi shuan zjarrin, zjarrfikësit hynë në ndërtesë dhe zbuluan trupat e gjashtë personave. Banorët aty pranë treguan për media se dëgjuan një shpërthim dhe njerëz që bërtisnin, por nuk mund të hynin t’i ndihmonin për shkak të flakëve.
Dy kate të ndërtesës që përdorej si depo parfumesh u dogjën nga flakët. Nuk dihen ende shkaqet e zjarrit, por një hetim ka nisur për të zbardhur ngjarjen.
Ministri i drejtësisë tha se një zëvendëskryeprokuror, dy prokurorë dhe një panel ekspertësh po merren me hetimin.
Dilovasi, një qytet industrial i vendosur rreth 70 kilometra në juglindje të Stambollit, është shtëpia e shumë fabrikave dhe depove.

