75 Mall Live Search
14:48 / E Diele, 07 Dhjetor 2025 / B XH

Zjarr në një klub nate në Indi, vdesin 25 persona, përfshirë stafin dhe turistët

Të paktën 25 persona kanë humbur jetën në një zjarr që ra në një klub nate në Goa, një shtet indian i njohur për jetën e natës dhe turizmin.

Disa turistë ishin midis 25 të vdekurve në zjarrin, i cili shpërtheu rreth mesnatës në Birch by Romeo Lane, një restorant, bar koktejesh dhe klub i njohur në Arpora, një lagje në veri të Goas.

“Sot është një ditë shumë e dhimbshme për të gjithë ne në Goa. Vizitova vendin e incidentit dhe kam urdhëruar një hetim për këtë incident. Ata që gjenden përgjegjës do të përballen me masat më të rrepta sipas ligjit – çdo neglizhencë do të trajtohet me vendosmëri”, tha kryeministri i Goas, Pramod Saëant.

Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se zjarri filloi në katin e parë dhe më pas përfshiu pjesën tjetër të ndërtesës. Një hetim paraprak nga policia sugjeroi se shumica e atyre që vdiqën ishin bllokuar në zonën e bodrumit të klubit dhe ishin mbytur.

Shumica e të vdekurve ishin punëtorë të klubit që kishin qenë në bodrum në kohën e zjarrit, thanë zyrtarët, ndërsa në mesin e tyre janë edhe disa turistë.

Zjarrfikësit punuan gjatë gjithë natës për të shuar zjarrin dhe për të shpëtuar ata që ishin bllokuar. Imazhet nga vendi i ngjarjes treguan flakë të mëdha që përshkonin ndërtesën, ndërsa në mëngjes ishte shkrumbuar e gjitha.

Kryeministri indian, Narendra Modi, e përshkroi zjarrin si “thellësisht trishtues”.

Goa, një ish-koloni portugeze në brigjet e Detit Arabik, tërheq miliona turistë indianë dhe ndërkombëtarë çdo vit me jetën e saj të natës, plazhet me rërë dhe atmosferën e qetë bregdetare. Sipas të dhënave qeveritare, rreth 5.5 milionë turistë vizituan Goën në gjysmën e parë të këtij viti, me 270,000 vizitorë nga jashtë vendit.