75 Mall Live Search
14:24 / E Diele, 27 Korrik 2025 / Burim

Zjarret, mijëra vetë braktisin banesat/ Turqia në luftë me flakët, qindra hektarë pyje të djegura

Zjarret që kanë përfshirë Turqinë për javë të tëra kërcënuan qytetin e katërt më të madh të vendit herët të dielën, duke detyruar mijëra njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre.

Zjarret gjatë natës në malet e pyllëzuara përreth qytetit të Bursës në Turqinë veriperëndimore u përhapën me shpejtësi, dhe pamjet që vijnë nga Turqia I ngjajnë një apokalipsi.

Zyra e guvernatorit të Bursës tha në një deklaratë se 1,765 persona ishin evakuuar në mënyrë të sigurt nga fshatrat në verilindje, teksa më shumë se 1,100 zjarrfikës luftuan me flakët. Autostrada që lidh Bursën me kryeqytetin, Ankaranë, u mbyll ndërsa pyjet përreth digjeshin.

Turqia është goditur nga dhjetëra zjarre çdo ditë që nga fundi i qershorit. Ministri i Pyjeve Ibrahim Yamukli tha se ekipet e zjarrfikësve në të gjithë vendin u përballën me 76 vatra vetëm të shtunën.

Zjarret po nxiten nga temperaturat e larta të pazakonta për stinën, kushtet e thata dhe erërat e forta.

Drejtoria e Përgjithshme e Meteorologjisë tha se Turqia regjistroi temperaturën më të lartë ndonjëherë, 50.5C në provincën juglindore Sirnak të premten. Temperaturat më të larta për korrikun u regjistruan edhe në 132 vendndidhje të tjera.

Trembëdhjetë persona kanë vdekur në javët e fundit, përfshirë 10 punonjës të ekipeve të shpëtimit të vrarë të mërkurën në një zjarr në Eskisehir në Turqinë perëndimore.