08:09 / E Martë, 15 Gusht 2023 / L K

Zjarret në Hawaii/ Guvernatori paralajmëron se numri i viktimave mund të dyfishohet

Guvernatori i shtetit amerikan të Hawaii-t paralajmëroi se numri i të vdekurve nga zjarret shkatërruese në Maui mund të rritet në mënyrë drastike ndërsa ekipet vazhdojnë ende kërkimet nëpër rrënojat e ndërtesave të djegura. Të paktën 99 persona janë konfirmuar të vdekur deri më tani, raporton CNN.

“Ne jemi të përgatitur për shumë histori tragjike,” tha guvernatori Josh Green. 20 qen dhe dhjetëra kërkues po vijojnë kërkimet nëpër qytetin historik të Lahaina. “Ata do të gjejnë 10 deri në 20 njerëz në ditë derisa të mbarojnë. Dhe ndoshta do të duhen 10 ditë. Është e pamundur të merret me mend,” tha ai.

Kjo do të thotë se numri i vdekjeve, që aktualisht vlerësohet në të paktën 99 persona, mund të dyfishohet apo edhe trefishohet. Ndërsa shërbimi i telefonisë celulare është rikthyer ngadalë, banorët kanë qenë në gjendje të rilidhen me familjen dhe miqtë.

Shkatërrim i plotë në Lahaina

Më shumë se 2,700 ndërtesa u dëmtuan ose u shkatërruan pasi zjarri përfshiu qytetin, sipas vlerësimeve zyrtare, duke shkaktuar dëme prej 5.5 miliardë dollarësh.
Lahaina, e cila shërbeu si kryeqyteti i mbretërisë Havai në fillim të shekullit të 19-të, ishte shtëpia e rreth 12,000 banorëve./abcnews.al