16:00 / E Hënë, 13 Shtator 2021 / AR

Zjarret në Spanjë jashtë kontrollit, mijëra të evakuuar dhe 7400 ha tokë e djegur

Vazhdon të mbetet jashtë kontrollit një zjarr i jashtëzakonshëm që shpërtheu të mërkurën e kaluar në provincën e Malaga, në Spanjën jugore.

Zjarri u përhap në disa bashki të Sierra Bermeja, një zonë malore që vështirëson punën e shuarjes.

“Sierra Bermeja nuk pushon. Ne vazhdojmë të luftojmë centimetër për centimetër për të kontrolluar zjarrin shkatërrues, “shkroi Juanma Moreno, president i rajonit të Andalucia, në Tëitter.

Gjatë ditës së djeshme dhe pas më shumë se 72 orësh punë të vazhdueshme për të kontrolluar flakët, zjarri u komplikua përsëri, duke bërë që autoritetet të evakuojnë më shumë njerëz, përveç rreth 1.000 të evakuuarve. Janë rreth 2,670 të evakuuar, nga të cilët një mijë kanë arritur  të kthehen në shtëpi në mbrëmje, sipas asaj që u raportua nga autoritetet rajonale. Në tërësi, rreth 7.400 hektarë tokë tashmë janë djegur, sipas informacionit të fundit të dhënë për mediat spanjolle.

“Këto janë dy zjarre që janë bashkuar,” tha Carmen Crespo, këshilltare për Zhvillimin e Qëndrueshëm të rajonit të Andaluzisë, në një intervistë dhënë sot në mëngjes për radio Cadena Ser.

Crespo shtoi se nuk beson që zjarri mund të kontrollohet në orët e ardhshme, edhe pse mbahet  një fije shprese për shkak të punës së kryer mbrëmjen e kaluar.

Mbrëmë, drejtori i planit rajonal të zjarrit tha se “në kohët e fundit” në Spanjë nuk ka pasur kurrë një zjarr “kaq të komplikuar”. Krahas zjarrfikësve andaluzianë, tani po punojnë edhe burra nga Njësia Ushtarake e Urgjencës.