Zjarrfikësit e Pejës qe tri ditë pa rrymë
Një nga qendrat e cila do të duhej të reagonte në raste emergjente, është duke u përballur me një problem tash e tre ditë, përcjellë Indeksonline.
Bëhet fjalë për qendrën zjarrfikësve në Pejë, të cilët janë duke u përballur me mungesë të rrymës për shkak të shkyçjes.
E kjo shkyçje ka ardhur si pasojë e mospagesës së borxhit ndaj KEDS.
Drejtori komunal për mbrojtje dhe shpëtim, Muharrem Mahmutaj, ka pranuar se mungesa e rrymës është duke i shkaktuar probleme të shumta zjarrfikësve.
“Mungesa e rrymës e vështirëson punën edhe në shtëpi se jo veç te zjarrfikësit se ata operojnë 24 orë, natën është vështirë me punu”, ka thënë ai për klankosova.
Në anën tjetër , Florian Qelaj nga Qenrda e emergjencave në Pejë, ka thënë se faturat janë dërguar në Prishtinë, në agjencinë e menaxhimit të emergjencave, e cila sipas tij, do të duhej të bënte pagesën.
Borxhi i zjarrfikësve ndaj KEDS kap shifrën 6 mijë euro.
Deri në pagesën e tij, zjarrfikësit e Pejës, të gjithë shpresën e kanë te gjeneratori për furnizim me rrymë. /Indeksonline/