Zjarrfikësit ndihen të injoruar, thonë se Qeveria po i hedhë “benzinë zjarrit”

Vendimi i ministrit të Financave Hekuran Murati që të ketë rritje për tre muajt e fundit, për orët shtesë, ndërrimet e natës dhe festat për kategoritë tjera, Policinë e Kosovës, Shërbimin Spitalor dhe Klinik të Kosovës, Ministrinë e Shëndetësisë, ATK-në, Doganën, Inspektoriatin e Kosovës, Shërbimin Korrektues te Kosovës duke i përjashtuar kështu zjarrfikësit, i ka irrituar dhe indinjuar tej mase zjarrfikësit e Kosovës.
Kryetari i Sindikatës së Zjarrfikësve të Kosovës Muharrem Beka në një intervistë për “Indeksonline’ ka thënë se kjo padrejtësi duhet të korrigjohet dhe zjarrfikësit të përfshihen në këtë rritje. Beka e ka quajtur një vendim të tillë skandaloz, duke pohuar se vendimi i ministrit vetëm sa i ka hedhur benzinë zjarrit.
“Pakënaqësitë janë të shumta. Ky vendim i ministrit vetëm ka hedhë benzinë në zjarr. Ky veprim selektiv që e ka bërë ndaj kategorisë së zjarrfikësve, i ka irrituar pa masë zjarrfikësit. Ne e kemi quajtur këtë vendim të pamatur dhe skandaloz. Si është e mundur që prej të gjitha kategorive të anashkalohen vetëm zjarrfikësit, të cilët e dijmë shumë mirë çfarë pozite janë. Ata kanë borxhe ndaj kësaj kategorie. Nuk na janë kompensuar as orët jashtë orarit, as ndërrimet e natës as benefitet, që janë me ligjet e 22 dhe 23. Ne nuk jemi kundër por pse për çfarë arsye. Me këtë vendim zjarrfikësit janë irrituar aq shumë saqë më kanë thirrë atë ditë në vazhdimësi si është e mundur, a është i vërtetë ky lajm. Mirëpo ne kemi kërkuar i kam shkruar personalisht ministrit, nuk më ka kthy përgjigjje”, tha ai.
Beka thotë se është momenti i fundit, që institucionet të mendojnë për këtë kategori.
“Është momenti i fundit që institucionet e Republikës së Kosovës, të mendojnë për këtë kategori. Sepse zjarrfikësit janë themeluar për shpëtimin e jetës së njeriut dhe të mirave materiale. Në këtë formë qysh janë organizuar me këto forca, me këto kapacitete, me këtë qasje të institucioneve nuk e arsyeton as themelimin pse janë themelu. Pa kushte minimale, numri i vogël i zjarrfikësve mosha mesatare e shtyrë, mungesë të pajisjeve personale, mungesë të pajisjeve të përgjithshme, pa sigurime shëndetësore”, tha ai.
Zjarrfikësit sipas tij mbeten kategoria më denigruar dhe e përbuzur në këtë vend.
“Jemi më të shtypurit, më të anashkaluarit më të denigruarit, me të përbuzurit në këtë vend. Pse arsyeja pse…. Ne nuk mund të heshtim karshi kësaj gjendje që është krijuar. Prandaj është apeli, është fundi i fundit. Nëse institucionet do t’i drejtohemi me letër të gjitha, kryeministrit dhe ministrive përkatëse dhe kuvendeve komunale dhe komisionit për siguri, që kjo gjendje të analizohet. Këto shqetësime tona duhet të jenë dhe shqetësime të organeve shtetërore.. Të fillojë ndërprerja e diskriminimit që po bëhet, të paguhen ndërrimet e natës, festat, orët jashtë orarit dhe benefitet që me ligj na takojnë”, tha ai.
Beka madje pohon se zjarrfikësit e Kosovës e kanë humbur durimin dhe se nuk do të tolerojnë më.
“Padrejtësitë na janë bërë ligj dhe deri kur kështu. Zjarrfikësit e Kosovës e kanë humbur durimin dhe më nuk do të tolerojmë….Zjarrfikësit janë në një gjendje të papërballueshme, të mjerueshme. Unë mendoj që çdo fillim e ka fundin. Ne po presim do të iu drejtohemi prapë të gjitha organeve relevante vendimmarrëse . Do tu drejtohemi me apel dhe nëse në afatin kohor që do tu japim, nëse nuk na thirrin dhe nuk bëjnë zgjidhje, nëse nuk reflektojnë pozitivisht atëherë asgjë tjetër s’na mbetet, konsiderojmë që të gjitha mundësitë për dialog janë shtjerr dhe protesta është e pashmangshme….Kemi pasur rastin në Mitrovicë në situatën në veri, zjarrfikësit kanë qenë krah policisë dhe aty për mobilizim nuk janë paguar. Policisë iu kanë paguar, zjarrfikësve jo. Çfarë dallimi është ky. Kemi toleruar mjaftë….Kjo gjendje s’mund të vazhdoj kështu. Do të shpërthejë kjo situatë. Por është e pashpjegueshme dhe e papranueshme që gjithë këto probleme dhe askush nuk interesohet me i zgjidh”, tha ai.
Ndërsa thotë se nëse kjo gjendje do të vazhdojë kështu, të gjithë zjarrfikësit do të vendosen para Qeverisë, dhe nuk do të lëvizin nga aty, derisa të arrihet një marrëveshje me shkrim..
“Gjendja është kaotike dhe unë jam i bindur se të gjithë e dijnë, të gjitha institucionet. Qëndrim i zjarrfikësve është se këtu do të vendosemi dhe ka zëra se këtu do të rrijmë, derisa ta bëjmë një marrëveshje me shkrim, nuk do të largohemi. Besomni është kërkesë e të gjithë zjarrfikësve të Kosovës që do të zbarkojmë këtu dhe do të qëndrojmë këtu, deri në momentin që e bëjmë një marrëveshje me shkrim. E kemi provu dhe me protesta dhe me greva në vendin e punës. Nuk i kanë marrë parasysh”, tha ai./Indeksonline/