22:09 / E Enjte, 30 Nëntor 2023 / MSH

Zjarrfikësit të pakënaqur me trajtimin: Ne rrezikojmë jetën e sulmohemi se kinse s’na takon rrezikshmëria

Dhjetëra zjarrfikës kanë protestuar përpara objektit të Qeverisë, në shenjë revolte për kushtet e rënda të punës.

Sipas protestuesve, vonesa në paga, mospagimi i punës shtesë dhe mungesa e pajisjeve janë duke shtuar pakënaqësitë në ushtrimin e profesionit.

Demush Musliu nga Gjilani ka thënë për Indeksonline se ka pasur raste kur ka rrezikuar jetën për të shuar zjarrin.

Ai përshkruan intervimin që ka bërë, e që e ka lënë atë pa ndjenja për dy orë.

“Edhe pse kjo qeveri na ka premtu, kur ka ardhë në pushtet kam me jau ba jetën Zvicër, neve na u ba jeta Palestinë, Afganistan, e çka të dush thuj. Që tri vjet as uniformë s’kam marrë. Këto këpucë që po m’i sheh në këmbë i kom ble vet. Pantollat jam detyru me i ble vet. Nuk e di çka ka ma zor sesa me hi në zjarr. Kur pronari e braktisë shpinë, unë detyrohna me ja shpëtu pronën, fminë e gruan e pasurinë e tij. Kur rrezikshmëri nuk kam, me çfarë vullneti e qysh me hi une aty. Nëse lendohna nuk kam sigurim shëndetësor. A e dini se n’a shkon paga tu shku të doktori, e tu e pagu çdo kontroll, ilaçe e gjithçka. Nuk kemi ardhë se kemi pasë qef me pa Prishtinën, se s’jam i këtuhit, po nuk po kemi qare se po n’a shkelen të drejtat”, tha ai.

Sipas Musliut, akoma s’i kanë marrë shtesat e vitit të kaluar.

Në anën tjetër, Shaban Kerrmemi nga Prishtina thotë se ka numër të vogël të zjarrfikësve, sidomos për Prishtinën që mbulon edhe Fushë-Kosovën, Obiliqin dhe Çagllavicën.

Kerrmemi pohon se për herë të fundit, uniforma u janë dhuruar gjashtë vite me parë.

“Jemi të dëmtuar edhe në koeficient, edhe në rrezikshmëri, edhe për punën pas orarit. As nuk kemi sigurim shëndetësor, as pare për ushqim, e as sigurim jetësor, se jemi profesion me sakrificë. Është problematikë edhe kur po sulmohemi prej institucioneve, kur thonë se nuk na takon rrezikshmëria. Nëse nuk n’a takon neve që rrezikojmë jetën, shëndetin, për të mirat e këtij komuniteti, kujt kanë me i taku?”, thotë Kerrmemi.

Sindikata e Zjarrfikësve ka bërë të ditur se pjesëtarëve të saj u është ndaluar e drejta për grevë, teksa paralajmëron se zjarrfikësit nuk do të ndalen derisa të përmbushen kërkesat e tyre.

Protesta paqësore është përcjellur nga Policia e Kosovës./Indeksonline/