75 Mall Live Search
16:20 / E Hënë, 01 Dhjetor 2025 / F.R

Zjarri në rrokaqiejtë e Hong Kong-ut, shkon në 151 numri i viktimave, 40 ende të zhdukur – 13 të arrestuar

Autoritetet e Hong Kongut njoftuan sot se hetimet po vazhdonin në shtatë ndërtesat e kompleksit Wang Fuk Court në Tai Po, ku shpërtheu zjarri më vdekjeprurës në rrokaqiej.

Numri i të vdekurve ka arritur në 151, ndërsa rreth 40 persona janë ende të zhdukur. Në të njëjtën kohë, Kryetari Ekzekutiv i Hong Kongut, Eric Chan, tha se shtatë nga 20 mostrat e rrjetave mbrojtëse të përdorura në skelat rreth kullave të kompleksit, nuk përmbushnin standardet e sigurisë nga zjarri.

Sipas Chan, inspektimet fillestare treguan se materialet ishin në përputhje me standardet, por më vonë u zbulua se materiale më të lira dhe të pacertifikuara po vendoseshin në vende të vështira për t’u arritur për të shmangur zbulimin. Chan e quajti praktikën një “akt të turpshëm” dhe shtoi:

“Ata ishin të interesuar vetëm të fitonin para në kurriz të jetës së njerëzve”.

Zyrtarët thanë se Byroja Kundër Korrupsionit deri më tani ka arrestuar 13 persona në lidhje me tragjedinë, përfshirë drejtorët dhe një inxhinier konsulent të një kompanie ndërtimi, dhe ka “nisur menjëherë një hetim gjithëpërfshirës për rastin e vrasjes pa dashje”.

Ndërsa akuzat për shkelje të sigurisë shtohen, banorët po pyesin veten pse asnjë zyrtar nuk është përballur ende me pasoja. Në vend të kësaj, dy qytetarë thuhet se janë arrestuar nga policia e sigurisë kombëtare.

Njëri prej tyre, Miles Kwan, një student nga Hong Kongu, u arrestua të shtunën në lidhje me një peticion online që përfshinte “katër kërkesa” për të garantuar mbështetje për viktimat dhe llogaridhënie për ata që janë përgjegjës, përfshirë çdo zyrtar qeveritar të korruptuar ose fajtor.